Kukësi duhet të fitojë edhe në transfertë

Futboll

Kukësi duhet të fitojë edhe në transfertë

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 22:37
Kukësi

Në Lac, me atë barazim pa gola Kukësi i Ernest Gjokës, ruajti pathyeshmërinë, në kampionat. Në 22 ndeshjet e para të këtij sezoni, verilindorët nuk kanë pësuar asnjë humbje, por ndaj ekipit kurbinas, Kukësi regjistroi barazimin e 10-të në këtë edicion të Superiores dhe të 9-tin në transfertë. Pikërisht ndeshjet jashtë fushe janë pika e dobët e Kukësit në këtë sezon sepse në 12 takime larg Zeqir Ymerit skuadra e Gjokës ka regjistruar 3 fitore dhe 9  barazime për një total prej 18 pikësh. Afërsisht të njëjtën ecuri përsa i përket ndeshjeve në transfertë kanë patur edhe dy rivalët direktë të Kukësit në garën për titull,Skënderbeu dhe Partizani me të Kuqtë që kanë bërë disi më mirë.

Në Lac, verilindorët kanë vuajtur gjithmonë teksa që nga ngjitja e tyre në Superiore kanë fituar vetëm një herë në fushën e bardhezinjëve, prandaj jo më kot në përfundim të sfidës trajneri Gjoka ishte i kënaqur me rezultatin. Megjithatë kjo javë nuk ishte edhe aq pozitive për Kukësin që humbi 2 pikë, ndërkohë që Skënderbeu dhe Partizani duke iu afruar gjithnjë më shumë në renditje. Ndaj Lacit, Kukësi krijoi volum dhe i pati mundësitë për ta fituar ndeshjen por gjithsesi mund të kishte edhe pa pikë sepse kurbinasit rrezikuan vërtetë shumë sidomos në pjesën e parë duke goditur një traversë me Mensah dhe një shtyllë me Ansi Nikën.

Verilindorët deri tani janë në rrugë të mbarë por për të fituar kampionatin Kukësi duhet të fitojë më shpesh edhe jashtë fushe. Sukseset e vështira ndaj Teutës, Vllaznisë dhe Tiranës të ardhura vetëm në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes duhen pasuar nga të tjera fitore nëse formacioni i Gjokës dëshiron të realizojë me sukses objektivin madhor të këtij sezoni që është fitimi i titullit kampion i cili do të ishte i pari në historinë e klubit. Dy transfertat e rradhës Kukësi do ti ketë Flamurtarit në Vlorë dhe Skënderbeut në Korcë, dy ndeshje shumë të vështira në të cilat verilindorët nuk duhet të kërkojnë vetëm të ruajnë pathyeshmërinë por të synojnë edhe marrjen tre pikëve për tu afruar gjithnjë e më tepër me titullin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat