Korabi përjashton tre lojtarë, Mziu: Kanë toleruar në disa ndeshje

Futboll

Korabi përjashton tre lojtarë, Mziu: Kanë toleruar në disa ndeshje

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 00:35
Mziu

Tensionohet situata te Korabi ku sikur të mos mjaftojë ecuria e dobët në kampionat, tashmë grupit të drejtuar nga Gerd Haxhiu i shtohen edhe telashet në dhomat e zhveshjes. Klubi dibran bën me dije pezullimin dhe gjobitjen e tre lojtarëve kryesorë duke  drejtuar gishtin e akuzës për mosimpenjim në disa ndeshje të kampionatit, duke theksuar madje se ata kanë toleruar në disa sfida të Kategorisë Superiore. Bëhet fjalë për mbrojtësit Sheta dhe Çela por edhe për portierin Vujadinovic. Drejtori i Përgjithshëm i Korabit, Fehmi Mziu hedh akuza të rënda ndaj tre lojtarëve në fjalë, duke shtuar se ata janë fajtorët kryesorë të situatës aspak pozitive që skuadra po kalon.

“Ne kemi patur probleme edhe disa jave më përpara ku Sheta ishte problematik si në ofendimin e stafit dhe mosimpenjim në ndeshje bashkë me Çelën dhe Vujadinovic. Erdhi momenti i fundit që lindën dyshimet në ndeshjen me Vllazninë. Kam bërë gati pamjet filmike për çdo ndeshje dhe do t’i paraqes në Komisionin e Etikës në Federatë. Ka edhe masa gjobe për lojtarët e përmendur si dhe Zefin për problematikë në fushë pas dënimit me 5 ndeshje nga Disiplina. Sheta, Çela dhe Vujadinovic janë të pezulluar pa afat”.

 

Mziu ka dyshime se lojtarët e tij kanë toleruar jo vetëm ndaj Vllaznisë por edhe në sfidën e luajtur në Laç ndaj kurbinasve dhe disa ndeshje të tjera që ai i rendit si më poshtë.

“Unë i kam të gjitha pamjet filmike, është edhe ndeshja Korabi-Teuta, Luftëtari-Korabi, të dyja ndeshjet ndaj Skënderbeut ku janë të gjitha pamjet e evidentuara”.

 

Sipas tij, klubi dibran i ka kryer të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj tre lojtarëve të pezulluar, por ata nuk janë sjellë aspak si profesionistë në fushën e lojës. Mziu shton se të gjitha dyshimet e t9iji bazon në pamjet filmike dhe shpreson që Komisioni i Etikës të marrë vendimin e duhur. Ai e pranon gjithashtu se pas ndeshjes së fundit ndaj Vllaznisë, situata ka precipituar deri në konfrontim fizik me mbrojtësin Sheta.

“Me Shetën kam debatuar dhe kemi shtyrë njëri-tjetrin pasi më ofendoi rëndë dhe tani mbetet vetëm që të vazhdoj unë si drejtues ose të vazhdojë Sheta. Besoj te Korabi nuk ka pasur probleme organizimi dhe arbitrimi, ka pasur edhe probleme tolerimi dhe shpresoj që këtë çështje ta zgjidhë Etika. Çdokush të marrë atë që meriton. Jam i hapur në pjesën e klubit dhe nuk kam asnjë lloj problemi. Unë mbaj përgjegjësi të mijat por jo të të tjerëve që na kanë sjellë në këtë pozicion”.

Në fund, drejtori i klubit dibran karikon skuadrën duke premtuar se KOrabi do të luftojë deri në fund të sezonit pasi kapitulli mbijetesë nuk është mbylur ende.

“Unë e kam marrë dhe mendimin e trajnerit. Trajneri do ta ketë më te thjeshtë që skuadra të luajë pa hije. Të gjithë janë të motivuar. Ndeshjet do ti marrim një nga një, nuk ka dështuar asgjë sepse gjithçka është në lojë dhe shpresoj që të luajmë në shtëpi që të luajmë në Peshkopi”.  

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat