Dy futbollistë shqiptarë nga Maqedonia, ja çfarë thonë për Lirinë

Futboll

Dy futbollistë shqiptarë nga Maqedonia, ja çfarë thonë për Lirinë

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 11:42
Aliji e Osmani

Ndeshja e parë në Kosovë dhe vjen fitorja e parë. Dyshja e futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia, mesfushori Burhan Aliji dhe sulmuesi Florent Osmani i kanë siguruar skuadrës së tyre të re Liria nga Prizreni kualifikimin në raundin tjetër të Kupës së Kosovës. Liria ka shënuar fitore prej 0:2 ndaj Bashkimit të Koretinit. Lojtarët në fjalë kanë shfrytëzuar pushimin dyditorë për të vizituar familjet e tyre në Shkup e Kumanovë ndërsa gazeta “Lajm” takimin me dy futbollistët e shfrytëzoi edhe për një intervistë. Të dy rrëfyen për karrierën e tyre të re në kampionatin e Kosovës.

Si u pritët te Liria?

Osmani: Jemi pritur shumë mirë. Madje mund të them se jam i befasuar nga pritja që na e kanë bërë drejtuesjt e klubit, stafi teknik dhe bashkëlojtarët e rinj. Nuk kam pasur asnjë hamendje për të ardhur te Liria, pasi e kam ditur se bëhet fjalë për një klub serioz, me traditë futbolli në Kosovë. Uroj që t’ua kthejmë me lojëra të mira dhe gola.

Aliji: Vërtet ka qenë një mikpritje shumë e ngrohtë nga të gjitha strukturat në klub. Unë kam vetëm fjalë të mira për Lirinë dhe njerëzit që e drejtojnë klubin. Ajo që më ra në sy është se te Liria ekziston një harmoni e madhe mes njerëzve që udhëheqin klubin. Pritje më të mirë nuk kam parë deri më tani. I falënderoj të gjithë.

Prizreni si qytet ju pëlqen?

Osmani: Po shumë. Është një qytet i vjetër, qytet historik. Njerëit janë shumë mikpritës. Gjithcka është Ok.

Aliji: Prizreni më pëlqen shumë. Është një qytet me histori të lashtë shqiptare. Qytet që të emocionon. Njerëzit janë të dashur. Për sa kohe e kemi shëtitur na ka pëlqyer mjaftë.

Cilët janë ambiciet e KF Liria në sezonin pranveror?

Osmani: Po, synimet janë që të sigurohet mbijetesa dhe sa më larg të shkohet në garat e kupës së Kosovës. Jemi në vendin e shtatë në tabelë dhe mendoj së mbijetesa nuk do të jetë aspak problem. Jemi informuar se të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe se do të jetë një pranverë interesante. Mbetët të shohim.

Aliji: Sigurimi i ekzistencës është qëllimi parësor i bordit drejtues. Dhe, unë kam bindjen se do t’ia arrijmë qëllimit. Mirëpo, unë kam shpresa që në kupën e Kosovës do të shkojmë larg. Kemi ekip të mirë dhe të shpresojmë në rezultate pozitive.

Kur jemi te kupa, Liria u kualifikua për në turin tjetër pas eliminimit të Bashkimit nga Koretina me rezultat 2-0. Si ishte ndeshja e parë?

Osmani: Mendoj se ishte një ndeshje pozitive. Qëllimi u arrit. E eliminuam Bashkimin dhe kaluam tutje. Ishte ndeshja ime e parë te Liria dhe jam i kënaqur nga paraqitja. Pata edhe një shtyllë. Besoj se do të vijnë edhe golat.

Aliji: Në ndeshjet e kupës shpeshn ndodhin befasi, prandaj ne iu qasëm takimit me shumë seriozitet dhe meritë fituam. Objektivi i parë u arrit. Tash presim kundërshtarin e ardhshëm. Edhe unë jam i kënaqur nga paraqitja ime e parë.

Sezoni pranveror nis të shtunën, ku Liria luan me Hajvalinë si udhëtuese?

Osmani: Po, ne udhëtojmë në Prishtinë ku do të ndeshemi me Hajvalinë për të cilën kemi dëgjuar se është dobësuar mjaftë. Shkojmë për të fituar tre pikë në këtë takim.

Aliji: Pajtohem me mendimin e Florentit se në Prishtinë shkojmë për të marrë tre pikë. Hajvalia është e fundit në renditje dhe fitorja do të jetë qëllimi ynë në këtë përballje.

Kush janë skuadrat favorite për titull kampioni?

Osmani: Janë disa:Trepca 89, Ferronikeli e Prishtina. Të shohim, mund të ketë befasi të shumta.

Aliji: Edhe unë mendoj se skuadrat që përmendi Florenti janë kandidatë kryesor për të fituar titullin. Do të jetë një sezon cilësor. Mendoj se Liria do t’ua prish hesapet favoritëve.

Në fund, a mund të tërhiqni ndonjë paralele mes futbollit të Kosovës dhe të Maqedonisë?

Osmani: Unë mendoj se futbolli kosovar është në rritje dhe jemi të lumtur që do të luajmë këtu. Këtu po investohet dhe jo rastësisht gjatë afatit kalimtar të janarit erdhën shumë lojtar nga Maqedonia të luajnë në Kosovë. Në Maqedoni futbolli është në rënie, pastaj dyert për shqiptarët u mbyllën. Klubet maqedonase nuk na marrin, kurse ato pak klube shqiptare që janë po sjellin lojtarë nga jashtë.

Aliji: Pranimi i futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA sigurisht se do të ngritë cilësinë e futbollit këtu. Mendoj se shumë shpejtë Superliga e Kosovës do të bëhet ndër kampionatet më tërheqëse në rajon. Ndërsa, kampionati i Maqedonisë gjithnjë e më shumë po varfërohet, hiç disa skuadra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat