Dy yjet gjermanë

Futboll

Dy yjet gjermanë

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 14:54
Mario Götze dhe André Schürrle

Mario Götze dhe Andre Schürrle janë dy yjet gjermanë që po përjetojnë momentin më të vështirë në karrierë. Nga dy futbollistë vendimtarë në triumfin e “panzerave” në Botërorin 2014, në dy lojtarë thuajse anonime.

Götze dhe Schürrle arritën majat së bashku, e po së bashku janë shndërruar në dy lojtarë thuajse anonimë, kur shpesh e shohin veten edhe në stolin e rezervave.

Gjatë verës së kaluar Borussia Dortmund shpenzoi 52 milionë euro në tootal për ti blerë. Një shifër që nuk është justifikuar as nga minutazhi i lojtarëve dhe as nga golat e realizuar. Së bashku kanë realizuar vetëm dy gola në Bundesligën gjermane, dhe pesë rrjeta në total në të gjitha aktivitetet.

Nëse kthehemi në vitin 2014, Schürrle dha pasimin nga e majta, ndërsa Götze shënoi golin e suksesit në finalen e Kupës së Botës. Schürrle kishte realizuar edhe dy gola në gjysmëfinalen ndaj Brazilit. Dy lojtarë që u shpallën kampionë bote kur ishin vetëm 22 dhe 23 vjeçarë. Të gjithë prisnin që të shndërroheshin në dy yje të futbollit botëror, por presioni dhe pritshmëritë e mëdha i kanë futur lojtarët në krizë.

Mario Götze u ble për 22 milionë euro, por numëron vetëm 16 prezenca në 34 ndeshje të luajtura gjatë këtij sezoni, ku në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka qëndruar 90 minuta në fushë. Rikthimi te Dortmundi pas dështimit te Bayern Munchen nuk e ndihmoi të rilindte.

Edhe Schürrle është në vështirësi. Dortmund shpenzoi 30 milionë euro për ta afruar në fillim të sezonit. Shifër rekord. Verdhezinjtë asnjëherë nuk kishin investuar kaq shumë për një lojtar. Por, talenti i tij, ashtu si edhe ai i Marios, duket se papritur u zhduk. Së bashku ndodhen në një tunel të gjatë dhe të errët, në fund të të cilit ende nuk duket dritë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat