Ja ku luhet Korabi-Tirana

Futboll

Ja ku luhet Korabi-Tirana

Më: 1 mars 2017 Në ora: 14:49
Stadiumi në Shkodër

Tjetër episod nga saga Odisea e Korabit. Këtë të shtunë, skuadra dibrane do ta luajë në Loro Boriçi takimin e javës së 24 të Kategorisë Superiore. Është ky vendimi i FSHF që ka gjykuar se stadiumi i Peshkopisë ende nuk përmbush kushtet dhe që e con Korabin drejt një rekordi negativ të vështirë për t’u gjetur në kampionatet e tjera. Në fakt Loro Borici është stadiumi i 6 në të cilin skuadra që drejtohet nga Gerd Haxhiu do të luajë si pritëse këtë sezon.

Pasi kanë provuar Selman Stëmrasin, Elbasan Arenën, Zeqir Ymerin, fushën e Peqinit e Niko Dovanën tani në një sezon kryekëput prej shtegtarësh futbollistët e Korabit i drejtohen Loro Boricit për ndeshjen me Tiranën. Takimi mes skuadrës që mbyll klasifikimin dhe bardheblouve do të hapë javën e 24 këtë të shtunë në orën 14.00 kur do të luhet njëkohësisht edhe Luftëtari-Vllaznia, ndërkohë që pasditen e së shtunës do të jetë radha e Skënderbeut për të pritur Teutën në një takim ku skuadra e Ilir Dajës do të ketë shansin për të pronësuar e vetme kreun e klasifikimit. Dy rivalët e tjerë të titullit, zbresin në fushë të dielën me Partizanin që luan në transfertën e Lacit ku kurbinasit nuk do të mund të mbështeten te tifozët, ndërsa Kukësi udhëton drejt Vlorës për një përballje tjetër objektivash diametralisht të kundërt përballë Flamurtarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat