Ibraimi premton Shkëndijë më të fortë: Presim gabimet e Vardarit

Futboll

Ibraimi premton Shkëndijë më të fortë: Presim gabimet e Vardarit

Nga: Kemajl Goca Më: 5 mars 2017 Në ora: 12:27
Besart Ibraimi

Shkëndija nga Tetova ka synimet e qarta, kërkon titullin dhe mbrojtjen e Kupës së Maqedonisë. Skuadra shqiptare të mërkurën që e lamë pas heshti klubin e mirënjohur Vardarin, duke e mposhtur me rezultat 3:1 në midis të Shkupit, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës. Futbollisti më i mirë në Maqedoni, Besart Ibraimi, është i ngazëllyer për dy golat e tij dhe fitoren ndaj kampionit në fuqi, por sipas tij ende ka punë, pasi është edhe sfida e kthimit në Tetovë.  Skuadra kuqezi renditet në vend të dytë me 40 pikë pas 20 jave në kampionat ose ka shtatë me pak se Vardari. Sulmuesi Ibraimi me bashkëlojtarin e tij, Ferhan Hasani, udhëheqin listën e shënuesve me nga 11 gola. Ibraimi në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” flet për fitoren ndaj Vardarit, e ndjen apo jo rivalitetin për shënuesin më të mirë nga bashkëlojtari i tij.

“Bota sot”: Besart, shënuat dy gola për fitoren e Shkëndijës kundër Vardarit, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës, a besoni se më shumë se 80 për qind e punës është kryer, pra jeni në finale?

Besart Ibraimi: Jo, jo në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mendojmë se kemi kryer punën, pasi janë zhvilluar vetëm 90 minutat e para dhe kemi të zhvillojmë edhe një takim tjetër në të cilin duhet të hyjmë me qasje maksimale. Dua të ceki se ky rezultat do të ketë vlerë vetëm nëse ne arrijmë të fitojmë trofeun. Personalisht jam i lumtur për golat që e ndihmova skuadrën për të arritur objektivin në këtë ndeshje. 

“Bota sot”: Të dielën që e lamë pas në kampionat pësuat me rezultat 3:1 nga Vardari, por me të njëjtën monedhë ia kthyet pas tri ditëve, por këtë herë për Kupë, çfarë e veçojë Shkëndijën?

Besart Ibraimi: Në princip ne hymë njëjtë në çdo ndeshje, por kësaj radhe me një koncentrim më të shtuar dhe me strategji për të matur në aspekt të transformimit të lojës nga mbrojtja në sulm dhe kundrazi. Në kushte të këtilla na ndihmoi fakti që shënuam të parët dhe më pas krijuam kushte për të administruar si duam ne lojë, që në fund doli në favorin tonë.

“Bota sot”: A ishte një ditë e keqe me 26 shkurt kur humbët në Shkup dhe a shpresoni se ende keni gjasa për titull ani se Vardari ka shtatë pikë më shumë?

Besart Ibraimi: Sigurisht se besoj se kemi gjasa për titullin dhe do të luftojmë për t’ia arritur qëllimin, pa marrë parasysh diferencën që u krijua pas humbjes tonë. Po të dielën ishte ditë e keqe dhe gjithçka shkoi keq për ne. Pranuam gol me gabimin tonë, barazuam në kohë kur besuam se mund të kthehemi por pastaj erdhi ajo penallti që na ktheu sërish në negativë. Ndodhi ajo që ndodhi dhe tani duhet të shikojmë përpara, për të fituar sa më shumë pikë dhe të presim gabim të kundërshtarit.

“Bota sot”: Besart së bashku me Ferhan Hasanin jeni në krye të shënuesve me nga 11 gola, një luftë edhe brenda ekipit se cili do të jetë shënuesi më i mirë në Kampionat. A do ta rrisë edhe më shumë oreksin për të shënuar, por a jeni edhe në presion?

Besart Ibraimi: Jo assesi, nuk ka kurrfarë lufte apo rivaliteti. Unë dhe Buba jemi në shërbim të ekipi ashtu si gjithë futbollistët tjerë të skuadrës. E kam thënë se vitin e kaluar unë isha golashënuesi më i mirë dhe ndoshta munguan golat e Ferhanit që ne të fitojmë titullin, pasi ai mungoi shkaku i lëndimit. Uroj të vazhdojmë me këtë rritëm dhe në fund golat tonë të jenë në shërbim të arritjes së objektivave të klubit.

“Bota sot”: Shkëndija ka ekipin jashtëzakonisht të përforcuar me lojtarë, a është më e fortë se në vjeshtë?

Besart Ibraimi: Mendoj se kemi ekip të denjë për të arritur objektivat. Tani personalisht nuk dua të komentoj shumë për gjëra të këtilla sepse mund të tingëllojë sikur vlerësoj dikë më shumë ose më pak se tjerët që tani më nuk janë në skuadër. Është çështje adaptimi, përshtatje me taktikën apo mendimet e trajnerit dhe për këtë arsye krahasimet nuk janë falënderuese posaçërisht nga ne futbollistët.

“Bota sot”: A është bërë Shkëndija specialiste për Kupa?

Besart Ibraimi: Do të doja të ishte ashtu edhe në Kupë edhe në kampionat, por ju kujtoj se ne përkundër fitores së madhe me Vardarin ende nuk kemi siguruar finalen, ku do të ketë një kundërshtar tjetër që njëjtë si ne ka ambicie të fitojë. Të marrim gjërat më ngadalë dhe llogaritë do t’i bëjmë në fund të sezonit.

“Bota sot”: Si po shkon puna me trajnerin gjerman, Brdariç?

Besart Ibraimi: Gjithçka shkon mirë dhe uroj në fund të realizojmë objektivat që kemi para vetes.

“Bota sot”: Cili është premtimi për 'Ballistët' dhe shqiptarët?

Besart Ibraimi: U premtojmë se gjithmonë do të japim më të mirën nga vetja. E dimë se ata gjithmonë dëshirojnë dhe në fakt edhe meritojnë vetëm suksese, por ndonjëherë ndodh gjërat mos të shkojnë si duam. Mbështetja e ‘Ballistëve’ është shumë e rëndësishme për ne, na japin forcë të luftojmë më shumë dhe të arrijmë rezultatet që ne i kemi objektiv, ndërsa tifozët dëshirë dhe krenari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat