Josa: Do të japim maksimumin kundër Skënderbeut

Futboll

Josa: Do të japim maksimumin kundër Skënderbeut

Më: 9 mars 2017 Në ora: 15:18
Josa

Ekspert i futbollit vendas Share Tweet 255 SHIKIME Nesër do të luhet njëra nga kryendeshjet e javës së 25-të të Superiores. Tirana-Skënderbeu është sfida, që do të zhvillohet në “Selman Stermasi”, në orën 17:00. Mirel Josa kundër së shkuarës së tij të ndritshme, ku fitoi katër tituj kampioni, por tashmë me mision jetik për pikë, si trajner i Tiranës. Korçarët luftojnë për titull, ndërsa bardheblutë për të mos u përfshirë në zonën për mbijetesë. Një ditë përpara këtij ballafaqimi, Josa ka dalë në konferencë për shtyp, ku ka analizuar situatën te të tijtë, por ka pranuan edhe vështirësinë që paraqet kundërshtari:“Do të luajmë me Skënderbeun, që ka një skuadër të organizuar mjaft mirë.

Duhet të kemi parasysh se korçarët dinë të sulmojnë dhe të mbrohen shumë mirë. Ne nuk po kalojmë një moment pozitiv, edhe pse po stërvitemi intensivisht për këtë sfidë. Nga Skënderbeu kam kohë që jam shkëputur, por e njoh. E rëndësishme për mua është paraqitja e skuadrës në fushën e lojës. Se si del rezultati, kjo mbetet për t’u parë. Kur luajmë me skuadrat e kreut, lojtarët motivohen më shumë. Morali i skuadrës sonë? Nuk jemi në gjendje psikologjike optimale, edhe pse në stërvitje kam parë impenjim maksimal. Të gjithë janë shumë të angazhuar për të dhënë maksimumin kundër Skënderbeut. Unë dua që Tirana të luajë si skuadër dhe të sillet si e tillë në fushën e lojës. Do të shfrytëzojmë ata lojtarë që kemi në dispozicion. Më shumë nuk di çfarë të them, sepse edhe dje e pamë se çfarë ndodhi në Champions, me Barcelonën dhe mënyrën si u soll në fushë PSG-ja. Tirana duhet të hyjë në fushë për t’i fituar të gjitha ndeshjet, edhe ndaj korçarëve kampionë. Gentjan Muça? Më shqetëson gjendja e tij, sepse nuk ka luajtur në formën e tij më të mirë. Ka pasur probleme fizike dhe dhimbje të shpinës. Uroj të kthehet sa më shpejt. Do të na kthehet edhe Kërçiku”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat