Malota: Korabi prioritet, më pas Skënderbeu

Futboll

Malota: Korabi prioritet, më pas Skënderbeu

Më: 18 mars 2017 Në ora: 00:27
Malota

Për të fituar një titull  kampion  që në kampin e Kuq mungon që nga viti i largët 1993, te Partizani e kanë të qartë se duhet ti marrin ndeshjet një nga e një dhe ti vlerësojnë maksimalisht të gjithë kundërshtarët. Sfida e rradhës e vendos Partizanin përballë Korabit të vendit të fundit, por për Renato Malotën kjo është ndeshja më rëndësishme për 15-herë kampionët me mbrojtësin që nuk mendon aspak për duelin e javës së ardhshme ndaj Skënderbeut.

“Për ne të gjitha ndeshjet duhen vlerësuar , pak rëndësi ka se kë kemi përballë Korabin apo kundërshtarë të tjerë , ne të shtunën duhet të hyjmë në fushë për të bërë detyrën dhe të marrim maksimumin e pikëve .”

11 ndeshje ka zhvilluar 27-vjecari në këtë sezon me Partizanin në kampionat, me Malotën që ka realizuar edhe një gol shumë të rëndësishëm në derbi. Edhe pse do ti pëlqente të gjente sërish rrugën e rrjetës me të Kuqtë duke filluar që nga ndeshja e rradhës, për shtatlartin lezhjan pak rëndësi ka se kush shënon. Ndaj Korabit Partizanit do ti mungojnë disa futbollistë të rëndësishëm por për Malotën ky nuk do të jetë një problem pasi të Kuqtë kanë në përbërje shumë futbollistë cilësorë.

“Do të kemi mungesa për këtë takim, por e them me bindje se Partizani ka luksin pasi disponon një organikë mjaft cilësore dhe mendoj se edhe mungesat nuk do të ndihen në fushë. Përsa i përket ndeshjes Skënderbeu – Kukësi mendoj se çdo rezultat do të jetë në favorin tonë”

Në fund të fazës së tretë, Malota e shikon Partizanin në krye të klasfikimit, me mbrojtësin që është bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur duke lënë Kukësin për tu transferuar te të Kuqtë, pasi sipas tij titulli kampion në këtë sezon do të jetë pronë e Partizanit.

“Shpresojmë që në përfundim të fazës së tretë të jemi në krye të klasifikimit , por e theksova edhe më parë që ndeshjet i vlerësojmë një e nga një dhe në fund të jemi ne fituesit e titullit . Nuk jam penduar aspak që kam zgjedhur Partizanin pasi jam pjesë e ekipit më të madh në Shqipëri dhe besoj shumë që në fund të kampionatit do të jemi ne kampionët e vendit.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat