Shkëndija me pikë të mëdha nga Shtipi

Futboll

Shkëndija me pikë të mëdha nga Shtipi

Më: 19 mars 2017 Në ora: 13:13
Pamje nga ndeshja

Shkëndija nga Tetova shënoi fitore me rezultat 3:1 në udhëtim me Bregallnicën në Shtip, në një ndeshje të dominuar nga minuta e parë deri në fund, në ndeshjen e javës së 23-të të Kampionatit të Maqedonisë në futboll. Pas pjesës së parë pa gola dy Besartat sjellin epërsi 2:0. I pari me golin e 13-të sezonal, ndërsa Abdurahimi gjen debutuesin në fanellën “kuqezi”. Bregallnica zbuti epërsinë nga penaltia me Zdravkovin, pasi Çelikoviç u ndëshkua me të kuq, ndërsa Alimi zgjidhi dilemat një minutë para fundit. Shkëndija që në fillim kontrollonte lojën, ndërsa u desh të bëjë zëvendësim shumë herët kur në minutën e 6-të lëndohet Bejtullai, ndërsa vendin e tij e zë Abdurahimi.. Trajneri Brdariç në fillim të pjesës së dytë inkuadroi në lojë Alimin në vend të Totres dhe loja e “kuqezinjve” ishte edhe më insistuese para portës vendase.

Junior kishte mundësi për të zhbllokuar rezultatin në minutën e 56-të, mirëpo goditja e brazilianit ndalet në shtyllën e Bregallnicës, mirëpo ky do të ishte vetëm paralajmërim i epërsisë së Shkëndijës. Ishte minuta e 58-të kur Junior vertikalizon për Ibraimin, i cili pasi kalon mbrojtësin kundërshtar depërton në zonë dhe me saktësi shënon për epërsi 0:1. Pak më vonë provoi me kokë Medjedoviç, por vetëm skaj portës. Në minutën e 78-të Ibraimi udhëheq kundërsulm, pason për Todorovskin në të djathtë, ndërsa asistin e tij e pret Abdurahimi që me golin e parë në fanellën “kuqezi” çon epërsinë në 2:0. Në minutën e 84-t pas një kundërsulmi dhe harkimit në zonë Ilijev tenton me kokë, ndërsa në vijën e portës me dorë ndal topin Çelikoviç. Arbitri jep penalti dhe karton të kuq për lojtarin e Shkëndijës, ndërsa Zdravkov godet saktë nga pika e bardhë dhe rezultati ulet në 1:2. Vendasit shpresuan se mund të shmangin disfatën, mirëpo “kuqezinjtë” kishin fjalën në teren duke sjellur golin e tretë. Ishte minuta e fundit kur Alimi rëmben një top dhe nis sulm të Shkëndijës, Kobetiq ndal tentimin e Abdurahimit, ndërsa topi kthehet te Alimi që shënon për 1:3 dhe siguron tre pikët për Shkëndijën. KF Shkëndija është në vend të dytë me 47 pikë, gjashtë me pak se lideri Vardari.

Bregallnica - Shkëndija 1:3 (0:0)

Stadiumi i qytetit në Shtip

Shikues: 1 000

Gjyqtarë: D. Gjorgjievski, O. Stefanovski, S. Toshevski.

Shënues: Zdravkov (85’) - Ibraimi (58’), Abdurahimi (78’), Alimi (89’)

Kartona të verdhë: Ristovski - Çelikoviç dhe Alimi.

Karton i kuq: Çelikoviç (Shkëndija)

Bregallnica: Kobetiq, Ranxhelloviq, Georgiev (Ilijev 69’), Zdravkov, Naumov (Nacev 80’), Leskarovski, Vuçetiq, Velkovski, Kocev, Dalçevski (Iliç 63’), Ristovski

Shkëndija: Jovanovski, Bejtullai (Abdurahimi 8’), Cuculi, Ibraimi, Totre (Alimi 46’), Medjedoviç (Radeski 76’), Çelikoviç, Junior, Çollak, Todorovski, Vujçiç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat