Trajneri italian në stres nga Shqipëria

Futboll

Trajneri italian në stres nga Shqipëria

Më: 23 mars 2017 Në ora: 19:32
Ventura e Buffon

Vlerësim maksimal për Shqipërinë pasi te Italia i tremben jo pak kombëtares kuqezi. Në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj kombëtares shqiptare trajneri i përfaqësues së kaltër Giampiero Ventura foli me superlativa për skuadrën që drejtohet nga Gianni De Biasi duke u kërkuar futbollistëve të tij të japin 100% e mundësive të tyre në sfidën që do të zhvillohet këtë të Premte në Palermo, pasi vetëm kështu Italia mund të marrë tre pikët në këtë sfidë.

"Uroj që të shohim në fushë një Itali të mirë. Për të kaluar me sukses këtë ndeshje duhet të bëjmë një paraqitje pozitive, duhet të jemi agresivë dhe të japim 100% tonë.  Shqipëria dëshiron të bëjë historinë, është e vendosur dhe mbi të gjitha ka një skuadër shumë luftarake. Pres një hap përpara nga skuadra ime krahasuar me sfidën e fundit që kemi luajtur.  E vlerësojmë shumë këtë ndeshje dhe nëse do fitojmë do isha vërtetë i lumtur. Për ne nuk do të ketë asnjë minutë të lehtë në këtë ndeshje që është shumë delikate. Pres një Shqipëri që do të luajë e mbyllur prapa dhe që do të kundërsulmojë rrezikshëm”.

Tifozët shqiptarë pritet të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit Renzo Barbera, është i sigurtë për këtë Ventura i cili e di që kualifikimi direkt në Botëror për Italinë e tij kalon pikërisht nga sfida ndaj Shqipërisë.

” E di që do të jenë shumë tifozë shqiptarë në Palermo. Presim një pushtim të fushës nga ana e tyre ashtu sic ndodhi në miqësoren që u zhvillua në Genoa.  Ndeshje të lehta në këtë grup nuk ka. E vështirë do të jetë edhe për Spanjën sfida ndaj Izraelit. Shpresoj që Izraeli ta ndalë Spanjën, por për tu kualfikuar në Botëror në rradhë të parë ne duhet të fitojmë ndeshjen tonë ndaj Shqipërisë”.

Përkrah Giampiero Venturës në konferencën për shtyp të kombëtares italiane, ishte edhe kapiteni Gianluiggi Buffon i cili  ndaj kuqezinjëve do të luajë ndeshjen e tij të 1000-të në karrierë. Respekt maksimal edhe nga portieri i Juventusit për kombëtaren shqiptare.

” Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka treguar se di të vendosë në vështirësi çdo kundërshtar.  Me progresin që kanë bërë ata janë skuadër që duhet të merret në konsideratë, pra janë të frikshëm dhe këtë e them i bindur pa hamendësime. 1000 ndeshje në karrierë? Është një arritje e bukur, por ju siguroj se kësaj shifre nuk do ti shtohen mijra të tjera”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat