Vlerësimi i Kombëtares shqiptare pas humbjes nga Italia

Futboll

Vlerësimi i Kombëtares shqiptare pas humbjes nga Italia

Më: 25 mars 2017 Në ora: 07:44
Shqipëria-Italia

Shqipëria pësoi humbje prej 2-0 nga Italia në kuadër të Grupit G kualifikues për Kampionatin e ardhshëm Botëror dhe në këtë mënyrë, janë zbehur gjasat për pjesëmarrje në Rusi.

Strakosha 6 – Dy gola në portën e tij, një me penallti dhe tjetri për një moskoordinim mes mbrojtësve. I sigurt në të gjitha daljet, i saktë në dy raste vetëm për vetëm me të dy sulmuesit e Italisë. Berisha duhet të punojë shumë për të mbajtur fanellën e titullarit.

Kukeli 6.5 – Ishte pothuaj perfekt edhe pse përballë një katërshe sulmuese kombëtarja duhej të luante një rreshtim të theksuar mbrojtës. Gjithsesi për një pjesë të mirë të lojës arriti të mbante në ekuilibër repartin.

Ajeti 6.5 – Edhe pse është futbollisti me minutat më të pakta në aktivizimit në fushë përpara ndeshjes me Italinë, pak e tregoi në lojë. Me ndihmën e Kukelit arriti të orientohej mirë.

Veseli 6.5 – Shumë I sigurtë dhe me personalitet. E mbajti kundërshtarin të lidhur dhe pati inciativë të mirë edhe për të nxjerrë topin nga gjysmëfusha jonë.

Agolli 5.5 – Në pjesën e parë shtyu mjaftueshëm në veprimet me Roshin, më pas humbi koordinimi mes tyre. Një ndërhyrje e panevojshme për kartonin e verdhë që do ta lërë jashtë në ndeshjen e radhës.

Hysaj 5.5 – Nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe veprimet e tij u limituan në dialogun me shokun e tij të skuadrës te Napoli, Lorenzo Insigne. Pati shumë pak inkusione dhe pothuaj aspak koordinim në krahun e lëvizjes së tij.

Basha 6 – Një futbollist me shumë personalitet, e zotëroi mirë qarkullimin e topit, provoi disa herë edhe me vertikalizimet, por ndihej që kishte mungesë pikash kontakti.

Lila 5 – Ishim mësuar në skemën e vjetër të evropianit, por në asnjë rast nuk pati koordinimin me topat e gjatë nga Strakosha. Munguan vertikalizimet dhe dukej i pasigurt përballë kundërshtarëve.

Roshi 6 – inkusionet e tij ishin të frikshme për mbrojtjen e italiane, edhe pse përfundimi I tyre nuk kishte saktësi. Pati disa raste të mira, por i mungoi besimi për finalizim.

Memushaj 6 – Ishte një ndeshje e vështirë në një repart ku Italia ka ekspertë. Duel shumë i fortë me Verratin, por pak fantazi për të shtyrë përpara. Mund të ishte pak më shumë altruist.

Cikalleshi 5.5 – I vetëm në një prej mbrojtjeve më të mira në botë nuk mundi dot të gjente hapësirën. Nuk pati pika të tjera kontakti, edhe pse në disa raste arriti që individualisht të dilte mirë nga mbulimi i kundërshtarit.

Sadiku, Grezda, Latifi – Nuk patën kohën e mjaftueshme për të treguar më shumë, në ndeshje që pothuaj ishte mbyllur me golat e shënuar nga De Rossi dhe Immobile.

De Biasi 6 – Në pjesën e parë arriti të rreshtonte mirë skuadrën. Kishte bërë një zgjedhje inteligjente në mungesë të disa futbollistëve, edhe pse vazhdon ende të mos guxojë në zgjedhjet e tij për të sulmuar. Ndër të paktat raste kur arrin të hedhë në fushë tre debutues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat