Aktet në Palermo, “Illyrian Elite” përjashtohet nga stadiumi

Futboll

Aktet në Palermo, “Illyrian Elite” përjashtohet nga stadiumi

Më: 25 mars 2017 Në ora: 23:16
Illyrian Elite

Përgjegjësit e ndërprerjes së ndeshjes Itali-Shqipëri në “Renzo Barbera” humbasin privilegjet e tyre në pajisjen me bileta gjatë ndeshjeve të Kombëtares. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të mos shpërndajë më asnjë biletë për në stadium për anëtarët e grupimit “Illyrian Elite”. Gjithashtu, të gjithë ata tifozë të këtij grupimi që janë regjistruar edhe në radhgët e “Tifozëve e Kombëtares” në FSHF nuk do të jenë më pjesë e këtij Fan Club.

Në minutën e 57-të të ndeshjes në Palermo, nga tribuna ku ishin pozicionuar “Illyrian Elite” u hodhën tymuese, të cilat shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes, madje duke rrezikuar edhe pezullimin e saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, institucioni që drejton futbollin në vend i dënoi ngjarjet, duke i cilësuar “akte të shëmtuara dhe ekstremiste, që nuk kanë aspak lidhje me tifozët e shkëlqyer shqiptarë”.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit veprimet që shkaktuan ndërprerjen për afro 9 minuta të përballjes me Italinë, cënuan rëndë imazhin fantastik të tifozëve shqiptarë, të cilët janë vlerësuar maksimalisht dhe krijuan një imazh të shkëlqyer gjatë Europianit 2016 në Francë, si një ndër tifozeritë më festive të turneut.

Për incidentet gjatë ndeshjes në Palermo që nisi në një atmosferë tejet miqësore dhe festive, me tifozët italianë që duartrokitën himnin shqiptar dhe mbështetësit kuqezi që kënduan himnin italian, FSHF i ka kërkuar ndjesë përfaqësueses së kaltër, kolegëve, tifozëve dhe mbare qytetarëve italianë, ndërsa është garantuar se “askush nuk mund ta njollosë imazhin e Kombëtares. Emri i mirë i Shqipërise dhe shqiptarëve vlejnë më tepër se çdo gjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat