U tall me priftërinjtë, klubi grek vendos për Lilën

Futboll

U tall me priftërinjtë, klubi grek vendos për Lilën

Më: 25 mars 2017 Në ora: 23:34
Mbrojtësi shqiptar, Andi Lila

PAS Giannina, klubi grek, pritet t’ia shkëpus kontratën mbrojtësin shqiptar, Andi Lila, pasi ky i fundit u tall me priftërinjtë ortodoksë

Klubi i futbollit PAS Giannina, do të kërkojë të prishë kontratën me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Andi Lila.

Të paktën këto janë lajmet e fundit nga kampionati helen pas videos së publikuar dy ditë më parë kur lojtari së bashku me Armando Sadikun dhe imami Ahmed Kalaja bënte humor dhe batuta duke ironizuar priftërinjtë.

Ende jo zyrtarisht, skuadra e Gianninas nuk ka mbajtur një qëndrim për atë që ka ndodhur me futbollistin kuqezi. Por, mediat greke bëjnë me dije se kanë kontaktuar me drejtuesit e klubit dhe këta të fundit janë shprehur se do të mësojnë me detaje gjithçka që ka ndodhur në videon e publikuar.

 Klubi do të përkthejë të gjithë fjalët që Lila ka thënë në bisedë me imamin Ahmed Kalaja dhe më pas do të marrë vendimin. Megjithatë, duket se aventura e Lilës në kampionatin grek ka përfunduar dhe klubi do të kërkojë të zgjidhë përfundimisht kontratën me lojtarin shqiptar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat