Dallku: Çdo ndryshim sjell freski

Futboll

Dallku: Çdo ndryshim sjell freski

Më: 30 mars 2017 Në ora: 16:20
Dallku

Sot zyrtarisht para futbollistëve u prezantua shefi i ri i shtabit teknik, Arsim Thaçi. Skuadra po vazhdon të mbaj si seancat stërvitore po ashtu edhe t’i zhvilloj ndeshjet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Pas prezantimit të Thaçit i cili me ndihmësit, Mentor Miftari e Ahmet Beselica, ka vazhduar normalisht seancën stërvitore para ndeshjes së nesërme të javës së XXII me Ferizajn e cila nis nga ora 15.00. Armend Dallku, futbollist me përvojë i Prishtinës, deklaroi për faqen e klubit t tij: “Ne futbollistët kemi biseduar edhe me ish-trajnerin, pra drejtorin sportiv dhe kemi pasur një ndjesi që ka ardhur momenti që të bëhet ndonjë ndryshim brenda ekipit. Dhe këtë ndërrim ishte ish-trajneri Lindemann që na e kumtoi. Trajnerin Thaçi e kemi pritur me shumë dëshirë, të them të drejtën personalisht unë. Sepse, brenda grupit diçka nuk po funksiononte dhe është normale kur në një ekip diçka nuk funksionon është trajneri i pari që merr përgjegjësitë për rezultate. Normalisht Prishtina si ekip nuk i duron, apo nuk mundet të vazhdoj me diçka kur është kundër ekipit apo kur nuk funksionon mirë dhe kryesia ka marr vendim të ketë ndryshime në shtabin teknik. Është fati i joni që ka ardhur një njeri që e njeh mjaft mirë ekipin.

Thaçi ka pasur rol të rëndësishëm në këtë ekip. Pra, është më rëndësi se i njeh lojtarët dhe filozofinë e klubit dhe çka është më me rëndësi e njeh secilin futbollist individualisht dhe kjo është përparësi. Kurse negative, nuk është momenti i duhur për trajnerin, sepse në thonjëza, jemi larg objektivit, por unë them që realisht s’jemi jashtë objektivit, sepse janë edhe 11 ndeshje dhe 33 pikë tjera dhe kurrgjë s’është e humbur dhe në mbledhje ju thash edhe bashkëlojtarëve se gjithçka është e mundur, vetëm se ne duhet të kemi vullnet për stërvitje, dëshirë që të futemi në ndeshje për fitore. Pra, Prishtinës duhet kthyer nami që duhet ketë”, ka thënë Dallku. “Çdo ndryshim sjell freski për ekipin. Dhe shpresojmë që t’ia dhurojmë trajnerit të ri një fitore dhe që gjithmonë një trajner i ri të mbaj në mend ndeshjen e parë si të fituar dhe këtë ta ketë kujtesë të mirë me Prishtinë”, ka thënë kapiteni Dallku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat