Partizani më i miri i fazës së tretë

Futboll

Partizani më i miri i fazës së tretë

Më: 3 prill 2017 Në ora: 13:27
KF Partizani

Kreu nuk është rastësi. Shpjegimi përse Partizani nga Tirana është një kandidat i fort për titullin dhe ndan vendin e parë me Kukësin, vjen nga statistikat. Pa asnjë dyshim, të kuqtë janë shfaqur si skuadra më e fort e kampionatit gjatë fazës së tretë. 20 pikë të grumbulluara nga ekipi i drejtuar nga Starova në 9 ndeshje, pas 6 fitoreve, 2 barazime dhe vetëm një humbje, me 10 gola të shënuar dhe 5 të pësuar.

Disfata në Gjirokastër në ndeshjen e parë të vitit 2017 i shërbeu Partizanit si një motivim ekstra për një ecuri të jashtëzakonshme, me kryeqytetasit që në sfidat direkte i morën pikë Kukësit në trasfertë, ndërsa së fundmi mposhtën Skënderbeun, duke i larguar kampionët në fuqi nga gara për titullin.

19 pikë të grumbulluara nga Kukësi i Ernest Gjokës, pas 5 fitoreve dhe 4 barazime. Pikërisht mungesa e pikëve të plota, kryesisht në trasferta ndikon në faktin që veri-lindorët ende nuk janë shkëputur nga rivalët në krye të renditjes, në një sezon që gjithsesi mbetet historik, sepse në 27 javë të kampionatit Kukësi mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që nuk e njeh ende humbjen.

Në vendin e tretë të renditjes speciale për fazën e tretë ndodhet Skënderbeu, duke pasqyruar edhe pozicionimin në klasifikimin e përgjithshëm. 18 pikë në 9 ndeshje për skuadrën e Ilir Dajës, që pas 5 fitoreve radhazi në fillim të vitit kalendarik humbi ritmin. Tre barazimet radhazi me Teutën, Tiranën dhe Kukësin u shoqëruan me humbjen 1-0 përballë Partizanit. Edhe pse gara mbetet e gjatë, diferenca me 5 pikë nga kreu rrezikon të ndikojë në sprintin final të edicionit.

Luftëtari dhe Vllaznia kanë regjistruar ecuri identike dhe jo rastësisht janë në garë për vendin e katërt në renditje. 15 pikë të grumbulluara nga gjirokastritët dhe shkodranët, me 4 fitore, 3 humbje dhe 2 barazime. Por, nëse Luftëtari ka një pikë më tepër në klasifikim, skuadra e Milinkoviç penalizohet nga fakti që pëson shumë gola, plot 10 të tillë në 9 ndeshjet e fundit.

Përmirësimin më të madh në krahasim me gjysmën e parë të sezonit e ka padyshim Teuta. 14 pikë vetëm në këto 9 javë, pothuajse sa kishte grumbulluar skuadra në dy fazat e para, kanë bërë që durrsakët të pozicionohen në vendin e gjashtë. Skuadra e Maganit shënon pak, 6 gola në 9 ndeshje, por ka mbrojtjen më të mirë të fazës së tretë me vetëm 3 gola të pësuar përballë Kukësit, Skënderbeut dhe Luftëtarit.

Tirana është në krizë të plot dhe bardheblutë që ende nuk e kanë gjetur fitoren në vitin 2017. Tre pikë të grumbulluara kanë ardhur pas barazimeve me Flamurtarin, Korabin dhe Skënderbeun, ndërsa 6 humbjet e pësuara janë një ecuri për një skuadër që bie nga kategoria. Vetëm Korabi me barazimin përballë bardhebluve është skuadra e paraqitur më dobët, me 1 pikë të grumbulluar.

Ndërkohë, Flamurtari me 8 pikë, që përballë dibranëve gjeti fitoren e parë me Shpëtim Duron në stol dhe Laçi me 11 pikë, por me 3 humbje në katër javët e fundit vazhdojnë luftën për mbijetesë. Me garën që mbetet e hapur për të gjitha objektivat, faza e katërt e kampionatit premton spektakël dhe emocione deri në javën e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat