Medjedoviç i Shkëndijës: Premtimet janë gjë e rrezikshme

Futboll

Medjedoviç i Shkëndijës: Premtimet janë gjë e rrezikshme

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 3 prill 2017 Në ora: 13:35
Medjedoviç

Skuadra e Shkëndijës nga Tetova ka triumfuar me rezultat 5:1 kundër Makedonija GJP, të dielën në Tetovë, në kuadrin e javës së 24-të të ligës së parë të Maqedonisë, falë edhe tre golave nga super sulmuesi, Dino Medjedoviç.

Në një intervistë për “Lajm”, sulmuesi i rrezikshëm shprehet i lumtur me fitoren dhe me golat e shënuar. Gjithashtu ai jep mendimin e tij për kampionatin e Maqedonisë, për bashkëpunimin në sulm me Ibraimin dhe Abdurrahimin, premtimet ndaj tifozëve dhe garën e hapur me Vardarin për titull kampioni.

Si po ndjehesh pas hat-trikut të parë në fanellën e Shkëndijës?

Dino Medjedoviç: Sigurisht se është ndjenjë e mirë të shënoj tre gola në një ndeshje për klub tim të ri. Nuk është se tre gola në një takim shënohen shpesh dhe kjo më jep një ndjenjë të mirë. Por më të rëndësishëm se golat janë tre pikët që arkëtuam nga kjo ndeshje.

A të ka ndodh në karrierën tënde që të shënoni nga tre gola në një ndeshje?

Dino Medjedoviç: Po, po, kam shënuar tre-golësh edhe në të kaluarën. E kam bërë dy apo tre herë në një sezon në ekipin e dytë të Wolfsburgut.

A ishte një fitore e lehtë e arritur kundër Makedonija GJP?

Dino Medjedoviç: Jo, asnjëherë nuk është e lehtë të fitosh cilindo ekip. Gjithmonë duhet të dalësh në fushë dhe të japish maksimumin në 100% tënd për të arkëtuar pikët. Pastaj nuk është se Makedonija Gj.P. është skuadër e dobët, përkundrazi duan të luajnë futboll dhe ne jemi të lumtur që arritëm fitoren.

Komenti yt për sulmuesit Ibraimi dhe Abdurrahimi. Si po ndihesh me ata në sulm?

Dino Medjedoviç: Bëhet fjalë për djem të mirë, para se gjithash njerëz me personalitet dhe futbollistë shumë cilësorë. Mendoj se nga dita në ditë jemi duke u përmirësuar, njoftohemi me lojën e njëri tjetrit, e ndjejmë se si vrapon tjetri dhe kjo bën të ngrihet niveli i lojës tonë. Mendoj se do të përmirësohemi ende.

Çfarë ju premtoni tifozëve të Shkëndijës?

Dino Medjedoviç: Ouu, premtimet janë gjë e rrezikshme. Unë premtoj se do të japim 100% nga mundësitë tona në çdo ndeshje. Do kërkojmë të luajmë futboll të bukur dhe për të triumfuar. Besoj të bëjmë tifozët të lumtur me paraqitjet tona dhe t’i gëzojmë me tre pikë pas çdo ndeshje.

Si po të duket niveli i kampionatit të Maqedonisë?

Dino Medjedoviç: Patjetër të them se është ndryshe në krahasim me Gjermaninë. Por është nivel i mirë dhe këtu punohet për tu ngritur niveli. Është e qartë se secili luan ndryshe kundër Shkëndijës, të gjithë japin më shumë kundër neve dhe kjo na vështirëson gjërat. Por ne duhet të qëndrojmë të fortë dhe të vazhdojmë udhëtimin tonë.

A pritni që Vardari të bëj ndonjë hap fals në ndeshjet e ardhshme dhe ku psh?

Dino Medjedoviç: Patjetër se pres të ndodh diçka e tillë. Unë shpresoj ata të gabojnë në çdo ndeshje të radhës dhe nëse ndodh ata të humbin ne patjetër të fitojmë dhe të afrohemi. Duhet të jemi të koncentruar për të shfrytëzuar çdo gabim eventual të tyre.

Gara për titullin e kampionit me Vardarin vazhdon të jetë e hapur. A mendoni se 6 pikë diferencë janë shumë ose pak dhe se rivaliteti do të vazhdoj deri në fund të kampionatit?

Dino Medjedoviç: 6 pikë nuk është se nuk arrihen, nëse kujtojmë se do të kemi një ndeshje direkte me Vardarin në terrenin tonë. Ata mund të fitojnë secilin, por edhe të humbin nga secili, kështu që mendoj se gara mbetet e hapur dhe ne duhet të kërkojmë kontuinitet për të shfrytëzuar çdo hap fals të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat