Ronaldo e kush tjetër, Realin e dërgon përpara! Bayerni i pafat

Futboll

Ronaldo e kush tjetër, Realin e dërgon përpara! Bayerni i pafat

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 18 prill 2017 Në ora: 22:38
Festimi i golit

Cristiano Ronaldo, Cristiano Ronaldo se Cristiano Ronaldo, e kush tjetër, Real Madridin e dërgon në gjysmëfinalen e Champions League. Het-triku i Ronaldos Realit i dhuroi fitoren pas 120 minutave me rezultat 4:2 ndaj kampionit të Gjermanisë, Bayernit, në ndeshjen e kthimit të luajtur në "Santiago Bernabeu". Bayern Munihu i pafat, luajti jashtëzakonisht mirë, por ia pa sherrin humbjes me 2:1 në "Allianz Arena" dhe më rezultat të përgjithshëm 6:3 është eliminuar nga gara prestigjioze. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultat 2:1 në favor të Bayernit, por ballafaqimi shkoi në vazhdime, pasi që Reali kishte fituar me 2:1 në Munih. Prandaj, nga minuta e 84-të,  Reali ka qenë me një lojtar me tepër, kjo ishte një epërsi e mirë dhe triumfuan me rezultat 4:2. 

Ronaldo ka qenë fatal për kampionët gjerman, sepse në të dy ndeshje shënoi pesë herë, duke dëshmuar klasin e tij. 

Ronaldo është njeriu vendimtarë që Reali shkoi më tutje. Një mbremje e çmendur e futbollit në "Santiago Bernabeu" sidomos në 45 minutat e dytë, kur shikuesit panë 5 gola. Në minutën e 52-të, holandezi Arjen Robben futet në 16-sh dhe u pengua nga Casemiro, kurse gjyqtari hungarez Kassai gjykoi penallti.  Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, me mjeshtri gjuajti nga penalltia, duke mashtruar portierin dhe 0:1 në minutën e 53-të. Në minutën e 76-të, Casemiro harkoi në mënyrë të përsosur, kurse Cristiano Ronaldo, futbollisti më i mirë në botë,  me mjeshtri nga rreth 8-9 metra goditi me kokë topin dhe barazoi rezultatin 1:1.

Nuk zgjati më shumë se dy minuta gëzimi për kampionin në fuqi të Evropës, pasi që kapiteni Sergio Ramos bëri gabim trashanik, duke shënuar autogol, por në fakt nuk ka qenë edhe reagim si duhet i portierit Navas, 1:2. Në minutën e 84-të, Bayerni mbeti me një futbollist më pak, kur kiliani Arturo Vidal u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve.Vidal ka ndërhyrë ashpër ndaj Asensio dhe gjyqtari nuk e fali. 

Për trajnerin e Bayernit, Carlo Ancelotti, ishin kokëçarje vazhdimet dy herë nga 15 minuta për faktin se kishte një futbollist më pak që në anën tjetër për madrilenët ishte një epërsi shumë e madhe. Plotë 120 minuta, drithërima në mesin e tifozëve, por Reali me fat, kurse Bayerni i pafat.

Sergio Ramos për bukuri pasoi një top në 16-sh, Ronaldo tërësisht i harruar nga mbrojtja bavareze, i cili nga rreth 11 metra me një gjuajtje të fortë shënoi për barazimin 2:2. Në minutën e minutën e 110-të, Ronaldo shënoi het-trikun e tij dhe i dha goditje të rëndë rivalit. Kampioni në fuqi i Evropës, nuk e la me kaq, shënoi edhe një herë, kësaj here zëvendësuesi Asensio dhe i siguroi fitoren me rezultat 4:2 ekipit të tij.

Pa dyshim se për Bayernin ka qenë shumë vështirë me një futbollist më pak nga minuta e 84-të, ku ishte kapital i madh për madrilenët që siguruan biletën për më tutje.  

Reali-Bayerni  4:2 pas vazhdimeve (1:2 koha e rregullt)

Stadiumi "Santiago Bernabeu", Madrid.

Gjyqtar: V. Kassai (Hungaria).

Shënues: Ronaldo (76', 105' e 110'), Asensio (112') -Lewandowski (53'-nga penalltia), Ramos (78'-autogol).

Kartonat e verdhë: Casemiro - Vidal, Alonso, Hummels, Robben.

Karton i kuq: Vidal.

Real Madridi: Navas, Carvajal, Nacho, Ramos, Marcelo, Modriç, Casemiro, Kroos (Kovaçiç 114'), Isco,

Benzema (Asensio 64') dhe Ronaldo.

Bayerni: Neuer, Lahm, Hummels, Boateng, Alaba, Alonso (Muller 75'), Robben, Vidal, Alcantara, Ribery (Costa 71') dhe Lewandowski (Kimmich 88').

Image
Pa dyshim se për Bayernin ka qenë shumë vështirë me një futbollist më pak nga minuta e 84-të, ku ishte kaptal i madh për madrilenët që siguruan biletën për më tutje.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat