Torasa: Kukësi është më i fortë se Skënderbeu

Futboll

Torasa: Kukësi është më i fortë se Skënderbeu

Më: 20 prill 2017 Në ora: 11:37
Torasa

Barazimi ndaj Vllaznisë ka bërë që Partizani të humbasë vendin e parë në renditje. Megjithatë, të kuqtë janë me pikë të barabarta me Kukësin kryesues dhe mesfushori Agustin Torasa shprehet se skuadra do të bëjë maksimumin që, deri në fund të sezonit, të arrijë objektivin. Në një intervistë për mediat, argjentinasi  shprehet se gara do të jetë e ashpër, si dhe flet për të ardhmen e tij me fanellën e kuqe.

Nuk arritët të merrnit trepikëshin ndaj Vllaznisë, si ndiheni?

Barazimi i arritur në ndeshjen përballë Vllaznisë sigurisht ishte një rezultat që na penalizoi për të qenë të vetëm në krye. Luajtëm një ndeshje mjaft të rëndë- sishme, duke synuar që të ruanim diferencën me Kukësin, por nuk ia dolëm. Megjithatë, kanë mbetur edhe 7 ndeshje të tjera. Gjithsesi, mendoj se gara do të jetë e tillë deri në fund të kampionati, mjaft e ngjeshur dhe ne do të bëjmë maksimumin që të fitojmë në fund.

Në fund të ndeshjes keni pasur një kontakt me Bicajn dhe jeni rrëzuar në zonë. Mendoni se ishte 11-metërsh? Për mendimin tim, ishte 100 për qind penallti, pasi e panë jo vetëm të pranishmit në stadium, por ky episod u komentua gjatë edhe në mediat televizive. Ishte një 11-metërsh, por arbitri nuk e akordoi, ashtu siç bëri edhe me rastin e pengimit të Bonifejs, por dhe shumë raste të tjera.

Por, edhe impenjimi i Partizanit në këtë ndeshje u pa që nuk ishte në nivelin më të lartë. Çmendim keni për këtë?

Është e vërtetë që nuk mund t’ia lëmë të gjithë fajin arbitrit. Mendoj se mund të kishim bërë një ndeshje më të mirë, por gjithsesi rezultati final u vendos nga disa gabime arbitrare dhe të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre. Gjithsesi, çdo njeri mund të gabojë dhe tashmë ajo ndeshje ka kaluar.

Luani ndeshjen e radhës ndaj Teutës në shtëpi. Parashikoni një ndeshje të vështirë?

Sigurisht që Teuta është një skuadër për t’u vlerësuar maksimalisht, për vetë pozitat në të cilat ndodhet në tabelën e renditjes. Është një ekip mjaft i rrezikshëm dhe që luan një futboll cilësor, kanë një mbrojtje të fortë. E pamë që edhe Kukësi vuajti jo pak përballë tyre dhe arriti të zhbllokonte rezultatin vetëm pas një gabimi në zonë, që u shoqërua edhe me 11-metërsh. Ne duhet të japim gjithçka për të marrë fitoren të dielën ndaj Teutës.

Keni frikë nga ndonjë gabim tjetër i arbitrave në këtë ndeshje?

Gjithmonë ka pak frikë, por nuk mund të bëjmë asgjë veçse të shpresojmë që të mos ketë më gabime në të ardhmen.

Kukësin apo Skënderbeun, kush mendoni se është rivali më i fortë i Partizanit në garën për titull?

Mendoj se Kukësi është një rival më i fortë, sidomos në ndeshjet që luan në shtëpi, por edhe për faktin se ne bashkëkryesojmë renditjen me këtë ekip.

Mund të na thoni diçka në lidhje me të ardhmen. Do të vazhdoni të jeni pjesë e Partizanit?

Të presim të mbarojë kampionati. Unë kam një kontratë 1-vjeçare me Partizanin me opsion rinovimi edhe për sezonin tjetër. Për të ardhmen time vendos klubi dhe presidenti, por gjithçka do të jetë për të mirën e Partizanit. Për mua do të ishte kënaqësi nëse do të vazhdoj të jem pjesë e Partizanit.

Kur do të shënojë Torasa?

Unë bëj maksimumin në çdo ndeshje dhe shpresoj që goli të vijë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Në rast se në fund arrijmë të fitojmë titullin, të cilin e kam fiksim, nuk ka rëndësi nëse shënoj unë apo jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat