Shkëndija mobilizohet për finalen e Kupës së Maqedonisë

Futboll

Shkëndija mobilizohet për finalen e Kupës së Maqedonisë

Më: 16 maj 2017 Në ora: 16:58
Pamje nga konferenca

Skuadra shqiptare, Shkëndija nga Tetova, ka mobilizuar forcat për finalen e Kupës së Maqedonisë. Futbollistët kuqezi pretendojnë fitore ndaj Pelisterit nga Manastiri. Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë në taborin e Shkëndijes, ku janë të bindur se do ta mbrojnë trofeun e Kupës. Finalja e madhe do të zhvillohet nesër (në orën 17.00) në Strumicë, ku pritet një atmosferë e zjarrtë sidomos të jenë të pranishëm në tribuna sa më shumë shikues shqiptarë veçmas tifozët e mirënjohur të Shkëndijes, “Ballistët”, që t’i japin zemër skuadrës së tyre. Trajneri i Shkëndijes, Erhan Selimi dhe kapiteni Ardian Cuculi, në konferencën për shtyp para finales, reflektuan optimizmin që mbizotëron në ekip, duke paralajmëruar lojë për fitore.

“Mendoj dhe pres që nesër të kemi përkrahje të madhe nga ‘Ballistët’. Ne jemi të përgatitur maksimalisht për këtë finale dhe besoj se ne do të jemi ata që do ti gëzohemi kësaj finale. Me angazhim maksimal, me realizimin e urdhrave që lojtarëve do t’u jepen nga stafi teknik, besoj të jemi fitues dhe për herë të dytë ta fitojmë trofeun e Kupës dhe sërish ta kthejmë trofeun në Tetovë“, ka thënë Selimi. Futbollisti Ardian Cuculi thotë se do të ballafaqohen dy skuadra me cilësi, por mendon se fitorja do t’i takon Shkëndijes. “Takohen dy ekipe kualitative, pres ndeshje interesante në finale. Në ndeshje të këtilla nuk fiton gjithmonë më i miri, por ai që këtë e tregon në fushë. Besoj se ne do jemi në nivel dhe do të tregojmë lojën e pritur. Apeloj deri te tifozët për mbështetje korekte, të na përkrahin ashtu si ata dinë dhe besoj se Kupën do ta kthejmë sërish në Tetovë“, tha Cuculi. Kujtojmë se Shkëndija siguroi kualifikim në finale të Kupës pasi në gjysmëfinale eliminoi Vardarin e Shkupit me rezultat të përgjithshëm 3:2, ndërsa në rrugën drejt finales pa asnjë gol të pësuar eliminuan Shkupin, Rabotniçkin dhe Golemo Konjarin. Te skuadra e Shkëndijes gjithçka është gati, të gjithë me bindje se trofeun do ta sjellin në Tetovë. Dorën në Zemër, Shkëndija ka ekipin shumë më të mirë se sa Pelisteri. Fakti më i mirë është edhe renditja në kampionat, ku Shkëndija është në vend të dytë me 65 pikë pas 33 jave ose ka 14 më shumë se Pelisterin  që mban pozitën e katërt. Megjithatë finalet janë finale dhe si gjithmonë të paparashikueshme. Shkëndija ka mobilizuar “armët” që ta fitojnë trofeun e parë për këtë edicion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat