Tovërlani: Janë disa lojtarë në përfaqësuese që nuk e meritojnë të ftohen

Futboll

Tovërlani: Janë disa lojtarë në përfaqësuese që nuk e meritojnë të ftohen

Nga: Kemajl Goca Më: 17 maj 2017 Në ora: 16:33
Afrim Tovërlani

Jemi në fazën përfundimtare të garave të Superligës së Kosovës në futboll, por ende ka paqartësi se cilat nga ekipet do të mbeten në barazh: Liria, Ferizaj apo Drita. Çështja e kampionit është zgjidhur javë më parë, sikurse edhe cila do të bjerë nga liga. Trepça ’89 nga Mitrovica është kampion i ri, kurse Trepça e Hajvalia kanë humbur statusin elitë.  Trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani, apo siç njihet si trajner i trofeve, deklaroi se ka pasur ngritje të cilësisë, por jo edhe sa duhet.  Ai në bisedën për gazetën kombëtare “Bota sot”,  tha se në shumicën e klubeve veprojnë sot për nesër. Tovërlani flet edhe për kombëtaren e Kosovës si dhe a kemi futbollistë nga Superliga e Kosovës që mund të luajnë në shtetet e jashtme. Megjithatë u bënë me dije të gjithëve se aktualisht jemi shumë larg me klubet Evropiane.

“Bota sot”: Afrim, a mendoni se ky kampionat ka pasur ngritje të cilësisë?

Afrim Tovërlani: Po, mendoj se ka pasur ngritje, por jo sa duhet. Nuk guxojmë të kënaqemi në asnjë mënyrë. Ende ka shumë improvizime në klube.

“Bota sot”: Pritet me dy ekipe që të jemi në garat evropiane, a shpresoni se klubet tona do t'i gjejnë të përgatitura?

Afrim Tovërlani: Realisht nuk duhet të presim mrekulli. Do të jetë vështirë, por ky është proces dhe duhet gradualisht të ngritën klubet në Kosovë. Ende jemi larg klubeve evropiane.

“Bota sot”: Çfarë u mungon klubeve në përgjithësi, në fakt apo ndikon shumë që shumica e klubeve nuk kanë edhe fusha ndihmëse për stërvitje?

Afrim Tovërlani: Kuptohet që kjo ndikon shumë, por me tepër sipas meje, ju mungon organizimi profesional dhe planifikime në faza më të gjata. Gati të gjitha klubet veprojnë sot për nesër.

“Bota sot”: A mendoni se Superliga e Kosovës tani ka futbollistë që mund të luajnë në klubet e rajonit dhe në Evropë?

Afrim Tovërlani: Sa i përket rajonit mendoj se ka mjaft por për Evropë ndoshta, ndoshta ndonjë i ri mund të plasohet, por prapë do t’i duhej shumë punë dhe disciplinë të depërtoj, rasti Rashica.

“Bota sot”: Cilët prej tyre e meritojnë të jenë në kombëtaren e Kosovës?

Afrim Tovërlani: Sa i përket përfaqësueses, me sa i kam pa ndeshjet, mendoj se ka disa që mund të luajnë. Sipas meje janë disa lojtarë në përfaqësuese që nuk e meritojnë të ftohen. Me emra nuk dua të flas por ka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat