Presidentët akuzojnë

Futboll

Presidentët akuzojnë

Më: 17 maj 2017 Në ora: 18:07
Kastrati

Presidenti i Komitetit të Arbitrimit, Tahir Kastrati, ka pranuar se java e fundit e Superiores është ndikuar nga gjyqtarët dhe se gabimet e tyre kanë vënë këtë kategori në një pozicion shumë të vështirë. Duke folur para gazetarëve, pas mbylljes së turit për promovimin e Akademisë së Arbitrimit, ai e cilësoi atë që kishte ndodhur në këtë javë si një rast të rrallë.

“Do të jete ndonjë rastësi se për të gabuar, gabojnë të gjithë, por që të gabojnë në një javë në shumicën e ndeshjeve, nuk na kishte ndodhur ndonjë herë. Nuk kemi dyshime apo konstatime këtë javë që ka pasur tendenca të qëllimshme, unë mendoj se gabimet kanë qenë njerëzore. Por janë gabime që na rëndojnë të gjithëve sepse na vënë në një pozicion shumë të vështirë”, theksoi ai.

Presidentët e klubeve nuk reshtin se akuzuari gjyqtarët për gjykime tendencioze dhe të njëanshme, por Kastrati vazhdon t’i mbrojë ata me fanatizëm, ndërsa bën thirrje që kush ka fakte për shkelje t’i tregojë e të mos bëhen akuza të pabazuara.

“Nëse presidentët bashkë kanë të dhëna, duhet t’i denoncojnë, të bashkëpunojnë me ne, që t’i godasim dhe t’i eliminojmë nëse ka elementë të tillë që ndikojnë me qëllim në garë. Presidentët akuzojnë por ka mënyra për ta kapur korrupsionin. Unë mendoj që duhen ulur tonet, ne dhe ata bashkë duhet të bëjmë maksimumin që të krijojmë një ambient që të gjykojmë në kushte normale”, theksoi Kastrati.

Ai u ka bërë thirrje gjyqtarëve që të bëjnë detyrën duke u treguar sa më të përgjegjshëm në këto javë të fundit të sezonit, për të mos u bërë faktor.

“Jemi shumë të interesuar që gara të mbyllet në mënyrë sa më të mirë të mundshme, pa probleme, kontestime. Ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm që t’i përgjigjemi në mënyrë sa më korrekte, në mënyrë që edhe ne të jemi të qetë dhe të bëjmë detyrën. E kemi për detyrë të jemi korrekt dhe të sillemi në të njëjtën mënyrë në të gjitha klubet”, deklaroi Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat