Trezeguet: Mbappe mos u largo nga Monaco

Futboll

Trezeguet: Mbappe mos u largo nga Monaco

Më: 19 maj 2017 Në ora: 11:37
Kylian Mbappe

Është vetëm 18 vjeç, por Kylian Mbappe fitoi titullin e parë për të në Ligue 1 me Monacon.

Jo vetëm kaq pasi lojtari i lindur në Bondy të Francës tregoi nivel të larë edhe në skenën më prestigjoze europiane, Champions League. Një performancë që ka tërhequr interesin e klubeve elitare të Kontinentit të Vjetër. Por ish-lojtari i Monaco-s, David Trezeguet ka ndalur t’i japë një këshillë 18-vjeçarit Mbappe: “Flitet shumë për të ardhmen e tij. Për mendimin tim, shpresoj që të qëndrojë te Monaco për të treguar cilësitë e tij, por mbi të gjitha të afirmohet si lojtar. Nuk duhet të harrojmë se është vetëm 18-vjeç. Mbappe ka përpara të gjithë kohën e nevojshme për të njohur nivelet e larta, edhe pse është në një klub të nivelit të lartë. Të gjithë kemi dëshirë që pas njëfarë kohe ta shohim te Real, Barca, Juve”. Trezeguet, i cili priti deri në moshën 23-vjeçare par t’u larguar nga klubi i Principatës (në 2000 te Juve), mendon se duhet edhe pak më shumë eksperiencë për të mos djegur etapat: “Besoj se ai duhet ende të afirmohet. Te Monaco, kemi rastin e freskët të Martial, ai u largua për te Manchester United dhe rezultoi shumë e vështirë. Kur largohesh nga Franca për një kampionat të një niveli shumë më të lartë has në vështirësi”, sqaron “Trezegol. “Ky është një shembull i qartë. Mbappe, jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka kualitet, por ndoshta i duhet edhe ndonjë vit, kjo do të ishte diçka e mirë për të, AS Monaco dhe ekipin e Francës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat