Trepça ‘89 gati për Champions, premtojnë më të mirën

Futboll

Trepça ‘89 gati për Champions, premtojnë më të mirën

Më: 20 maj 2017 Në ora: 11:31
Trepça ’89

Historia e re futbollit të Kosovës e ka emrin Trepça ’89. Klubi nga ‘Riza Lushta’, pak ditë më parë siguroi titullin e kampionit. Në fillim të këtij sezoni, i pari nën ombrellën e UEFA-së, pak kush e ka menduar se ‘Minatorët’ do të jenë kampion dhe do të jetë skuadra e parë që do ta përfaqësojë vendin tonë në ligën më atraktive në Evropë, Ligën e Kampionëve.

Përgjegjësit dhe akterët kryesorë të këtij klubi thonë se meritorë për një sukses të tillë janë të gjithë pa dallim, duke vënë theksin tek lojtarët, që treguan paraqitje të jashtëzakonshme gjatë tërë sezonit.

Ata, gjatë një bashkëbisedimi për kp, folën për suksesin e arritur, gjendjen aktuale në klub, përgatitjet për garat ndërkombëtare, ndryshimet e mundshme brenda klubit, financat, relacionin me Federatën e Futbollit, mbështetjen e shtetit, si dhe çështjet tjera.

Abedin Zeka, kryetar i klubit Trepça 89, tha se klubi është i përgatitur mirë për dalje në Evropë, ndërsa u shpreh optimist se do të kalojnë me sukses të paktën xhiron e parë në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, nuk do të ketë ndryshime të mëdha të lojtarëve dhe të shtabit teknik në të ardhmen, sepse ata janë shumë të mirë dhe do ta përfaqësojnë denjësisht shtetin në garat ndërkombëtare.

Ai ka potencuar se edhe stadiumi ‘Riza Lushta’ me pak mbështetje nga shteti, do të plotësonte standardet evropiane dhe do të mund të përgatitej për arenën ndërkombëtare.

Zeka: Do ta përfaqësojmë denjësisht shtetin tonë në Evropë

“Unë mendoj se jemi të përgatitur, jo ku me ditë sa, por jam shumë optimist se Trepça 89 të paktën do ta kalojë një xhiro në garat ndërkombëtare… Lojtarët do të jenë të njëjtit, ata janë më meritorët që kanë fituar këtë titull… 80 përqind do të jenë po këta futbollistë dhe do t’i tregojmë gjithë Kosovës dhe shqiptarisë se ne kemi futbollistë të cilët janë shumë të mirë dhe e meritojnë… Në të ardhmen nuk ka diçka që nuk mundet. E dimë cilat janë kriteret. Psh. për kriterin e parë dhe të dytë, për dy apo tre xhiro, nuk do të kushtonte ndonjë shumë ku me ditë sa për shtetin, dhe shpresoj që shumë shpejtë stadiumi ‘Riza Lushta’ me investimin e qeverisë.. do të rregullohet. Kemi projektin të cilin e kemi dorëzuar, janë dy tribuna ballore dhe prapa portave, kështu që besoj se Trepça 89 për dy-tre vite dhe për dy tre xhiro, do të ketë stadiumin e rregulluar… Nuk mundemi me thënë se gjendja financiare në klub është e mirë. Njihemi si klub që nuk premtojmë shumë, por atë që premtojmë e realizojmë. Tani e tutje shpresoj se klubi do ta ketë fondin dhe pasurinë e vet dhe shpresoj se tash e tutje klubi do të jetë shumë stabil.Nuk kemi fituar kurrë asnjë centë, kemi humbur, por ky është pasioni, dashuria për futbollin… Sa i përket raporteve mes klubit dhe FFK-së, kjo e fundit është institucioni më i lartë i yni ku ne drejtohemi për ndihmë dhe të tjera. Federata për të gjitha klubet është e njëjtë, ne kemi dëshmuar se do të bëhemi një klub serioz, shumë i mirë, do ta kthejmë publikun këtu, gjininë femërore, do të shfaqim futboll sa më të bukur, dhe besoj se Federata duhet me qenë krenare me Trepçën 89. Po, është investimi që ka bërë qeveria pas djegies së stadiumit, kanë ndihmuar edhe një herë më herët me 40 mijë euro, por deri tani nuk kanë ndihmuar me mjete materiale, përveç rreth objektit, unë i falënderoj, sepse kjo prapa shpinës time është megjithatë një bukuri”, ka thënë Zeka.

Edhe trajneri Zekerija Ramadani, i cili për asnjë moment nuk e vuri në pikëpyetje titullin e kampionit, duke i fituar ndeshjet një nga një me radhë, meritat për suksesin e arritur ia ka atribuar të gjithëve, duke vënë theksin tek lojtarët.

Ai u shpreh i bindur se skuadra e tij është e përgatitur mjaftueshëm për garat në arenën ndërkombëtare, ndërsa tha se puna dhe rezultatet e arritura i garantojnë siguri se nuk do të largohet, por do të qëndrojë gjatë këtu.

Ramadani: Trepça ’89 është e përgatitur për sfidat ndërkombëtare

“Me një punë mjaft serioze, me disiplinë madhështore dhe me karakter bindës tek futbollistët, si dhe mbështetje maksimale nga ana e drejtuesve të klubit, do të thotë, për këtë sukses më meritorët janë vetë futbollistët, por normal këtu marrin pjesë edhe stafi teknik, stafi drejtues, mjekësorë, të gjithë që janë nën emblemën e Trepçës 89, por pa dyshim se më meritorët janë vetë futbollistët. Unë mendoj se kjo skuadër është shumë e aftë sepse kemi zhvilluar në Antali dy tre ndeshje ndërkombëtare edhe pse kanë qenë ato ndeshje kontrolluese, por kualitetin që kanë treguar këta futbollistë në ato ndeshje vërtetë është i lartë. Nëse ne arrimë me këto suksese, edhe shikueshmëria do të rritet, por nuk mund të them se nuk jemi të kënaqur sepse me të vërtetë në çdo ndeshje kjo tribuna kryesore të paktën ka qenë e mbushur, por nëse ne në vazhdimësi vazhdojmë me këto rezultate të mira besoj se shikuesit nu k do t’i zë ky stadium. Trajneri gjithmonë ka një çantë gati, por puna dhe rezultatet të japin një siguri dhe normal puna, serioziteti që janë bindur drejtuesit dhe futbollistët me të cilët kemi bërë një punë të mirë, jo vetëm unë si trajner, por i gjithë stafi i trajnerëve, andaj mendoj se shumë gjatë do të jem këtu”, theksoi Ramadani.

Në anën tjetër, Shpëtim Idrizi, kapiteni dhe lojtari më i rëndësishëm i kësaj skuadre, premtoi se do të vazhdojë t’i ndihmoj skuadrës së tij edhe në arenën ndërkombëtare.

Idrizi: Do t’i ndihmojë Trepçës ’89 edhe në Evropë

 “Për neve ka qenë me rëndësi ta fitojmë titullin e kampionit për herë të parë në historinë e klubit, kur dihet që titulli kampion çon edhe në arenat ndërkombëtare. Unë shpresoj se nëse kam fatin dhe nuk kam lëndime, besoj se do t’i ndihmoj Trepçës 89 edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Mitrovicasit sfidat e fundit në elitën e futbollit tonë, janë duke i zhvilluar me objektiv që të përgatiten sa më mirë për kualifikimet në Ligën e Kampionëve, pasi që titullin e kanë siguruar ditë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat