Gjici: Titulli i merituar. Ndeshje Fair-Play

Futboll

Gjici: Titulli i merituar. Ndeshje Fair-Play

Më: 21 maj 2017 Në ora: 06:01
Gjici

Festën nuk mund t’ia mohojë askush. Nëse Kukësi, dikur emër periferik në futbollin shqiptar sot është kampion meritat më të mëdha i ka padyshim ai, Safet Gjici. Ka investuar pa fund për një skuadër duke besuar te një ëndërr që sot është realitet.

“Kjo ishte një ndeshje e rëndësishme, por mendoj se kemi merituar të fitonim titullin për sakrificat dhe mundin që kemi treguar gjatë këtyre 5 viteve. Nuk duam t’i futem polemikave sepse ndeshja ishte fair-play. Ky ishte një titulli rekordesh sepse, kemi 35 javë pa humbje. I kemi dhënë tonin kampionatit shqiptar dhe mbi të gjitha kemi qenë vetëm, kundër të gjithëve”.

Kukësi është në festë, por ajo zyrtarja, e organizuar do të vijë vetëm në fund të kampionatit, nga Gjici dhe një dedikim dhe një premtim i përsëritur.

“Pavarësisht se matematikisht e kemi marrë kampionatin sot, por kampionati përfundon në ndeshjen e fundit në Gjirokastër do ta fitojmë do të shkojmë ta fitojmë dhe atë sfidë. Këtë titull ua dedikoj kukësianëve sepse e meritojnë. Natyrisht që do ta bëjmë rrugën nga tuneli deri në Kukës në këmbë”.

Në finalen me Skënderbeun vodhi protagonizmin me vendimet e tij Enea Jorgji, por Gjici nuk ndan të njëjtin opinion.

“Nuk mendoj që Jorgji ka vendosur rezultatin sot sepse ai është dhe ka qenë një nga gjyqtarët më të mirë, të kampionatit shqiptar madje as Takaj nuk e ka kontestuar dhe ishte dakort që ta gjykonte Jorgji këtë sfidë”.

Një mesazjh edhe për të ardhmen, në rast fitoreje në garën për deputet, Gjicit i duhet të lërë rolin e presidentit të klubit, megjithatë numri një i Kukësit nuk ngurron të japë garanci.

“Edhe nëse populli shqiptar do të votojë për mua në parlamentin shqiptar do të jetë dikush tjetër që do ta drejtojë skuadrën, por mua s’do më ndalojë askush, të mbështes skuadrën. Kur po festonim golin e dytë Ardian Takaj nuk ishte fare aty pasi ishte larguar dhe nuk kisha cfarë t’i thoja. Futbolli kështu është 6-herë fiton Skëndërbeu dhe njëherë fitojnë edhe të tjerët. Mirë do ishte që Takaj të qëndronte dhe të festonte me ne pasi futbolli është për të bashkuar njerëzit.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat