Flet shqiptari i Real Madridit: Ja këshillat që më dha Ronaldo!

Futboll

Flet shqiptari i Real Madridit: Ja këshillat që më dha Ronaldo!

Më: 21 maj 2017 Në ora: 08:01
Egzon Alili dhe Ronaldo

Nuk e ka besuar se do të vinte një ditë dhe do t’i takonte yjet e futbollit europian dhe të Real Madridit “live”, aq më pak se do të bëhej bashkëlojtar me ta.

I është dukur si një ëndërr, por në fakt kjo është tashmë realitet. Para dy ditësh ka qëndruar në “Santiago Bernabeu” dhe ka takuar yjet e Realit, me të cilët ka bashkëbiseduar.

Talenti i madh nga Kumanova, Egzon Alili, rrëfen ditën e kaluar te skuadra e madhe spanjolle dhe takimet me Ronaldon, Rodriguez e të tjerë. “Ishte hera e dytë që vizitoja Madridin dhe stadiumin “Bernabeu”.

Herën e parë kam qëndruar 9 ditë, tani dy ditë. Fillimisht nuk më besohej se jam unë. Stadiumi ishte i madh. Atmosfera ishte shumë e mirë. Të gjithë lojtarët erdhën dhe më vizituan.

Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Realit, pasi më është plotësuar një ëndërr si futbollist profesionist. Uroj që të kem një karrierë të pasur si e Ronaldos”, – e nis rrëfimin e tij Egzoni, 16 vjeçar.

Alili ka pasur një bashkëbisedim me James Rodriguez, nga i cili ka kërkuar që t’ia japë fanellën me numrin 10. “Po, fola me James Rodriguz dhe ndoshta ma jep fanellën me numrin 10”, – tregon Alili.

Talenti i madh nga Kumanova rrëfen edhe për atë se çka i ka thënë ylli i futbollit europian dhe botëror, Cristiano Ronaldo, dhe këshillat e tij. “Po ma kujton veten, kur isha i vogël, – më tha Ronaldo. – Duhesh të punosh shumë për të arritur në nivelin tim”, – tregon Alili, i cili të enjten niset për në Madrid, ndërsa të premten do të prezantohet si lojtar i ri i ekipit të parë të Real Madridit.

Kujtojmë se Egzon Alili po transferohet nga SV Ried te gjiganti spanjoll, Real Madridi, me të cilin ka nënshkruar kontratë 7-vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat