Ancelotti: E meritonim këtë festë

Futboll

Ancelotti: E meritonim këtë festë

Më: 21 maj 2017 Në ora: 15:12
Ancelotti

Dushi me birra në “Allianz Arena” mund të kishte qenë edhe më i bukur sesa aq, por gjithsesi trajneri i Bayern Munihut, Carlo Ancelotti, nuk kërkon të dorëzohet dhe premton se sezoni i ardhshëm do të jetë shumë herë më i bukur sesa kaq në përfundim të tij.

“Edhe pse e meritonim këtë festë, personalisht nuk e prisja që dushi me birrë të ishte kaq i ftohtë… Prisja diçka më shumë nga ky sezon, sepse i kishim të gjitha mundësitë për ta bërë, por na duhet të pranojmë fatin tonë. Më vjen keq për tifozët tanë, të cilët meritojnë shumë më shumë se kaq, por u premtoj se sezonin e ardhshëm dhe në vazhdim nuk do të jetë kështu.

Jemi një klub i madh e do të dimë që të përmirësohemi dhe rrjedhimisht trofetë do të jenë më të shumtë. Roben e ekzagjeroi me birrën ndaj meje? Mos kini merak, nuk është vetëm Arjen… Edhe ata që mendojnë se ia kanë hedhur pa i parë unë, në të vërtetë gabohen. E gjithë ajo birrë në kokën time do të vuhet nga të gjithë… (qesh) Roben, por edhe të tjerët që më ‘sulmuan’ do të kuptojnë hakmarrjen time në fazën përgatitore. Do t’i sfilis më shumë se këdo tjetër”, ka thënë Ancelotti.

Në lidhje me atë çfarë pret nga sezoni i ardhshëm dhe nga afati kalimtar, Ancelotti tregohet i matur: “Disa gjëra i kemi biseduar me drejtuesit, por të tjera plane do të projektojmë. Tani është e rëndësishme që të pushojmë pak, sepse të gjithë kemi nevojë dhe shumë shpejt do të rikthehemi në punë, pasi sezoni i ardhshëm do të jetë shumë herë më i suksesshëm sesa ky. E para që duhet të bëjmë është të zëvendësojmë një kampion si Philip Lahm. Edhe pse pasuesin e tij e kemi në skuadër, Bajerni dhe çdo ekip ka nevojë për njerëz si Philip, lider, udhëheqës dhe kapiten i vërtetë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat