Takaj: S’ka dënim nga UEFA

Futboll

Takaj: S’ka dënim nga UEFA

Më: 22 maj 2017 Në ora: 11:38
Takaj

I qetë dhe i matur. 24 orë pas humbjes në “Zeqir Ymeri”, ku Skënderbeu humbi fronin përballë Kukësit, presidenti i korçarëve Ardjan Takaj uroi kampionët e rinj, por e vendosi theksin te gabimet e arbitrave, që sipas tij vendosën rezultatin.

“Ishte një ndeshje finale, ndeshja e vitit, ku jepej titulli. Më erdhi keq që shkoi në atë mënyrë. Nuk mund të jenë gabime njerëzore, ai ishte një arbitrim skandaloz. Problemi i arbitrimit ekziston kudo, por këtu duhet rritur përgjegjshmëria e arbitrave, profesionalizmi i tyre, sidomos në ndeshje të tilla, kaq të rëndësishme. Kush fshihet pas veprimeve të arbitrit? Nuk dua të merrem as me Gjicin, as me federatën, por e kam me Jorgjin dhe arbitrin anësor Rexha.

Gjici justifikoi arbitrin pas ndeshjes? Gjici nuk ka pse e merr në mbrojtje arbitrin, ta gëzojë titullin kampion, por mos ta marrë në mbrojtje, sepse përndryshe do të dyshojmë për gjëra të tjera. Ne po flasim për arbitrin e ndeshjes, nuk po akuzojmë askënd tjetër. Kukësi kampion? Ka qenë aty, nuk është surprizë, ka 5 vite që qëndron në krye. Gjoka ka marrë më shumë se maksimumin nga ai ekip, e uroj për titullin. Normalisht Skënderbeu e Partizani kanë organika më të pasura e më cilësore, por Gjoka ka fituar dhe duhet respektuar për punën që ka bërë.”

Presidenti Takaj foli edhe për refuzimin e kërkesës për arbitër të huaj në sfidën që përcaktoi titullin, ndërsa sipas tij problemi i gjykimit në Shqipëri nuk lidhet thjesht me paaftësinë e “xhaketave të zeza”.

“Përtej batutave e ngacmimeve me Gjicin, që i bëjnë mirë kampionatit dhe garës, kam mbetur shumë i indinjuar nga ndeshja e djeshme. I kërkuam FSHF-së arbitër të huaj, kërkesë që nuk u pranua. Nuk na shpjeguan përse nuk do të gjykonte një i huaj, por na thanë të mos kishim merak për punën e arbitrimit, sepse do ishte korrekt. Ishte hera e parë që kërkonim arbitër të huaj, e bëmë vetëm duke parë situatën e nxehtë dhe duke parë që Partizanit iu aprovua kërkesa. Dëshironim një arbitër të huaj në një ndeshje që pritej me tension, pasi Kukësi donte patjetër titullin, duke luajtur edhe në shtëpi. Nuk më shqetësoi kartoni i kuq i Micit, sepse po luanim mirë edhe me 10 lojtarë. Penalltia për Kukësin ishte skandaloze, e shpikur nga arbitri, që më pas nuk akordoi penallti të dukshme për Latifin. Zgjidhja e problemit të arbitrave? Nuk ka lidhje krijimi i Ligës. Ne e njohim mirë futbollin, arbitrat tanë nuk janë të paaftë, por këtu ka veprime tendencioze. Kjo është e keqja e futbollit shqiptar.”

Në fund, drejtuesi i Skënderbeut komentoi edhe zërat rreth një dënimi të mundshëm të korçarëve nga UEFA, të cilët u shtuan pas një statusi në rrjetet sociale nga ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.

“Nuk e di, nuk kam asnjë informacion të tillë, as nga FSHF nuk më kanë lajmëruar. Ndoshta zyra e UEFA-s në Vlorë ka më shumë informacion e lidhje me këtë çështje".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat