Tension dhe festë, orët pas triumfit me kampionët e rinj të Shqipërisë

Futboll

Tension dhe festë, orët pas triumfit me kampionët e rinj të Shqipërisë

Më: 23 maj 2017 Në ora: 15:19
Pamje nga festa

Kukësi hyri në Kategorinë Superiore në vitin 2012, një sezon që askush s’e mori seriozisht dhe që askush nuk do ta mendonte që mbas 5 viteve verilindorët do të ishin kampionët e Shqipërisë. Historia e Kukësit i ngjan asaj të “Borëbardhës”, pasi sukseset e Kukësit kanë qenë të jashtëzakonshme.

Në pesë vite kanë dalë tri herë nënkampionë, një herë në vend të tretë dhe tashmë u erdhi radha që të jenë kampionët e rinj të Shqipërisë. Por, si u prit ky titull në Kukës, në një sfidë ku verilindorët kërkonin hakmarrje mbas humbjes së titullit pikërisht ndaj korçarëve në prill të vitit 2015, kur Skënderbeu fitoi me rezultatin e ngushtë 0-1, pas dhe kartonit të kuq të marrë nga Dritan Smajli.

Sfida midis Kukësit dhe Skënderbeut ishte përgatitur nga vendësit maksimalisht në të gjitha aspektet, por sidomos në organizimin e tifozëve. Ky titull pritej me kërshëri nga i gjithë ambienti kuksian të çdo sektori. Thirrjet e klubit për pjesëmarrje, strategjia e biletave, çmimi i lartë i tyre rriti artificialisht interesin e tifozërisë dhe rëndësinë e takimit. Të gjithë tifozët hynë me apo pa bileta. Dyndja ishte aq e madhe, saqë stadiumi “Zeqir Ymeri” ngjante si një kuti “shkrepëse e fryrë”.

Në fillim dhe gjatë ndeshjes mbi 6000 mijë tifozë prezent në stadium, grupe të ndryshme shanë në kor Kristi Vangjelin, Tefik Osmanin dhe Gledi Micin. Trysnia ishte aq e madhe, saqë në çdo përplasje në fushë tifozët, të cilët ndodheshin në tribunën qendrore, vetëm kangjellat e lartësia e saj i përmbante të mos zbrisnin në fushë.

Edhe pse me shumë polemika e kontestime, Kukësi e fitoi ndeshjen me rezultatin 2-0 ndaj korçarëve të lënë me 9 lojtarë në fushë nga arbitri Enea Jorgji. Pasi gjyqtari kryesor i ra bilbilit, lojtarët e Skënderbeut hynë në dhomat e zhveshjeve, ku dhunuan dhe disa policë, postera dhe fotografi të Kukësit në korridor. Në fushë mësynë me mijëra tifozë verilindorë që kaluan kangjellat.

Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm, shumë tifozë qanin nga lumturia, shumë të tjerë bërtisnin me të madhe, grupe-grupe ia morën valles në fushë, shumë të tjerë hoqën bluzat dhe festonin. Ndërsa një pjesë e mirë e tyre, sapo panë presidentin Gjici, e morën në krah dhe e mbanin sikur numri një i verilindorëve të peshonte 30 kg, jo sikur i kalon të 100-tat. Futbollistët ishin shumë të çoroditur, përqafoheshin me tifozët, të pranishmit, gazetarët apo kë të njihnin dhe kush t’ju vinte për t’i falënderuar e përshëndetur.

Dhoma e zhveshjeve të Kukësit u mbush plot e përplot nga drejtues, të njohur të tyre dhe pak tifozë, të cilët festonin si të çmendur titullin, duke kënduar e kërcyer “kampionë, kampionë, kampionë jemi ne”. Disa futbollistë jepnin prononcime për mediat, disa të tjerë shumë të entuziazmuar bërtisnin me të madhe, shumë prej tyre nuk e besonin që kishin arritur të dilnin kampionë.

Rreth 20 minuta pasi kishte filluar festa, në dhomat e zhveshjeve hynë tre persona me instrumente muzikorë si daulle etj., që ua shtuan gëzimin verilindorëve, të cilët nisën të kërcenin vallen e Kukësit, me Lenën një prej protagonistëve absolutë. Rreth një orë më vonë fusha fillon të bastiset, pasi dhe policia bëri të vetën, futbollistët me ngadalë spostohen drejt hotelit, i cili gjendej vetëm 5 minuta larg në këmbë.

Rreth 1000 mijë tifozë shpërngulen në ambientet jashtë hotelit, ku në të ishin futbollistët dhe presidenti Gjici. Ky i fundit falënderon tifozët, duke u kujtuar që, një javë më vonë, do të jetë dhe festa e madhe e titullit. Ndërkohë që në rrugët e qytetit verilindor kishte filluar festa, shumë tifozë mbanin të takuar borinë e makinave dhe me flamuj të ekipit të Kukësit festonin nga dritaret e automjeteve, raporton panoramasport.

Shumë familjarë kishin dalë në rrugë poshtë pallateve, të cilët festonin titullin dhe pse në mënyrë modeste. Rreth orës 20:00, autobusi i Kukësit niset nga hoteli drejt Tiranës dhe pse thuajse i boshatisur, pasi 90% e lojtarëve u kthyen me automjete personale, pasi thuajse të gjithë kishin familjarë të tyre në stadium që kishin ardhur për t’i ndjekur. Me rënien e natës, tifozët u shpërndanë nëpër banesat e tyre dhe festa filloi nëpër familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat