Kosova pësoi nga Irlanda! Kollari: Gjyqtari nuk ishte në nivelin e detyrës  

Futboll

Kosova pësoi nga Irlanda! Kollari: Gjyqtari nuk ishte në nivelin e detyrës  

Më: 24 maj 2017 Në ora: 10:34
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës U-17 në futboll ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut ndërkombëtar që po mbahet në Castlebar të Irlandës në organizim të UEFA-s. Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit pas fitores në ndeshjen e parë kundër Danimarkës, sonte kanë pësuar humbje nga skuadra nikoqire, Irlanda, me rezultat 1:2.  Ishte kjo një ndeshje jashtëzakonisht e mirë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës U-17 kundër Republikës së Irlandës, por jo gjithmonë fiton më i miri.

Djemtë e Kosovës luajtën më mirë e qarkulluan topin më mirë dhe bashkëvepruan shumë bukur, por pjesa e parë u përmbyllë me rezultat të barabartë pa gola, Pjesa e dytë sërish nisi me lojë të bukur nga futbollistët e Kosovës, ku krijuan aksione të mira dhe të rrjedhshme dhe si rezultat i kësaj Kosova kaloi në epërsi në minutën e 45-të ndeshjes (ndeshjet luhen 2 herë nga 40 minuta), përmes Albin Prapashticës. Irlandezët më kot përpiqeshin të barazojnë rezultatin, por për ndryshim të rrjedhës u përkujdes gjyqtari  Campbell, i cili në minutën e 50-të akordoi penallti të paqenë dhe nga pika e bardhë ishte i saktë Parrot dhe rezultati barazohet në 1:1. Në vazhdim futbollistët e Kosovës krijuan disa raste shënimi dhe irlandezët nuk po gjenin rrugën drejt portës, sepse mbrojtja e Kosovës ishte kështjellë, por sërish gjyqtari u kujdes që të përjashtojë nga 8 minuta dy lojtarë të Kosovës dhe kështu në minutën e 73-të bie goli i epërsisë kur shënoi zëvendësuesi Kennedy.  Me këtë rezultat edhe u mbyllë ndeshja dhe lirisht mund të thuhet se humbjes së Kosovës në masë të madhe i ndihmoi gjyqtari Campbell. Kosova më 25 maj ballafaqohet në ndeshjen e fundit me Irlandën Veriore.

Besnik Kollari, përzgjedhës, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës U-17, tha: “Thënë realisht sot djemtë kanë luajtur shumë më mirë se në ndeshjen kundër Danimarkës, gjë që flet edhe goli që shënuam. Patëm më shumë nga loja, por jo për të arsyetuar humbjen por vërtet gjyqtari  kryesor nuk ishte në nivelin e detyrës sepse përveç një penalltie që fare nuk ka ekzistuar, ai pa të drejtë na i përjashtoi dy futbollistë nga 8 minuta  dhe kjo bëri të veten që irlandezët të shënojnë fitore.  Mungesa e përvojës u pa edhe në këtë ndeshje si dhe mungesat që kemi prej fillimi, por gjithsesi  unë i përgëzoj futbollistët për angazhim”.

Republika e Irlandës – Kosova    2:1 (0:0)

Stadiumi : Solar park 21
Shikues:  disa  qindra
Gjyqtarë: Ch. Campbell, B. Folan, J. Hession e J. O’Connor
Shënues: Prapashtica (45) për Kosovë – Parrot (50 pen) dhe Kennedy (73) për Republikën e Irlandës.
Republika e Irlandës:  Bohan, Mc. Entee (Spain), Knight (Coffy), Parrot, Walsh (Kennedy), Trehy, Grant (Brennan), Tierney, Muligan, O Reilly (Murphy) e Everitit (Mahon).
Kosova:  Loxha,  Shabani (E. Hzseini), Ismajlaj (Olluri), Osmanollaj, Aliu (Rrahmanj), F. Hysenaj (Musa),  Prapashtica (Demolli), Osmani (Gashi), Morina (Salihu), Sadriu e Tolaj (M. Hyseni).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat