Messit i konfirmohet dënimi prej 21 muajsh burgim

Futboll

Messit i konfirmohet dënimi prej 21 muajsh burgim

Më: 24 maj 2017 Në ora: 17:48
Messi në gjyq

Gjykata Supreme në Spanjë ka ratifikuar të mërkurën dënimin prej 21 muajsh burgim për Lionel Messin. Vetëm babait të tij, Jorge, i është reduktuar dënimi në 15 muaj. Më 7 korrik 2016, Gjykata Provinciale në Barcelonë e dënoi yllin argjentinas të skuadrës katalanase të futbollit dhe babanë e tij , Jorge Horacio, me 21 muaj burgim për tri vepra fiskale. Messi u gjet fajtor për mashtrimin prej 4.1 milionë eurosh në Thesar, në vitet 2007, 2008 dhe 2009. Organet hetimore përkatëse konstatuan mospagim taksash në Spanjë për të ardhurat (10.1 milionë euro) nga të drejtat e imazhit, përpara dhe gjatë asaj periudhe kohore.

Ky dënim u apelua nga avokatët e Messit dhe, duke qenë një dënim më pak se dy vite, gjyqtari kishte mundësinë të pezullonte shkuarjen e të dënuarve në burg. Gjykata Supreme e ka ratifikuar dënimin e futbollistit argjentinas dhe ka njohur sjelljen e tij të paligjshme tatimore. Mbrojtja e familjes së yllit argjentinas kishte argumentuar gjatë gjykimit, në qershor të vitit 2016, se vetë futbollisti dhe babai i tij menaxher ishin “profanë” sa i takon ligjit të taksave, ndaj kishin ngarkuar një firmë prestigjioze të ligjit, Juarez Veciana, për t’u marrë me të tilla çështje. Ndërsa vetë Leo e kaloi “topin” te babai-menaxher, duke thënë se Jorge dhe këshilltarët e tij merreshin me kontratat e pagimin e taksave: “Unë e kam kaluar gjithë kohën duke menduar për futbollin në fushë. Vetëm për këtë gjë mendoj. I kam besuar babait tim dhe avokatëve të merren me të tilla gjëra, si kontratat sponsorizuese, apo pagimin e taksave".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat