Rivalët e mbijetesës ofrojnë miliona për ta ndalur, Flamurtari: Quhet korrupsion, shkelet Kodi Penal

Futboll

Rivalët e mbijetesës ofrojnë miliona për ta ndalur, Flamurtari: Quhet korrupsion, shkelet Kodi Penal

Më: 25 maj 2017 Në ora: 17:58
Ilustrim

Lajmi i publikuar sot në “Panorama Sport” se klubet e Vllaznisë dhe Tiranës kishin përgatitur një “paketë shpërblimi” prej 200 mijë eurosh për Teutën dhe Korabin nëse do të arrinin të ndalnin Laçin dhe Flamurtarin, ka irrituar vlonjatët.

Këta të fundit, nëpërmjet një reagimi në faqen e tyre në Facebook, e kanë cilësuar këtë një tentativë të hapur korrupsioni dhe mitmarrjeje, duke u bërë thirrje organeve përkatëse të ndërhynin për të verifikuar shkeljet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Reagimi i Flamurtarit: "E turpshme, e padëgjuar, antiligji ka arritur në maja kulminante.

Të shkelësh ligjet, fairplay-in në Kampionatin Shqiptar tashmë është mëse normale, normale dhe e trumbetuar si mëse ligjore, pa ndrojtje edhe mediatikisht.

Sot, dy ditë para zhvillimit të sfidave të fundit delikate të futbollit shqiptar, ku fatkeqësisht ekipe elitare luftojnë për mbijetesën në Kategorinë Superiore, media dhe portale sportive kanë përcjellë me bujë lajmin se klubet e Vllaznisë dhe Tironës kanë vendosur të paguajnë 200000 Euro, për rrëzimin nga Kategoria Superiore të ekipeve të Flamurtarit dhe Laçit.

“Drinët” e radhës në futbollin shqiptar, të cilët në dukje janë “qarë” dhe kanë “dënuar” me forcë gjatë gjithë kampionatit, padrejtësitë dhe shkeljet që bëhen në kurriz të tyre, sot me mbështetjen e shtypit dhe portaleve kanë shpikur “forma ligjore për blerje” të ekipeve kundërshtare në garë.

Jo më me telefonata, apo takime të fshehta, por hapur, mediatikisht dhe duke e përcaktuar si ligjore, duke harruar se duke e bërë vetë publike blerjen e ekipeve, nuk i ndryshon asgjë blerjes dhe korruptimit të lojtarëve në fshehtësi, duke harruar se duke i veshur “kostumin e sponsorit” (që vetëm ata e dinë ku bazohen ligjërisht) nuk ndryshon asgjë nga kryerja e veprimeve për përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve, bazuar në korrupsionin pasiv dhe mitmarrjen për bashkëpunëtorët.

Nëpërmjet kësaj deklarate, kallëzojmë publikisht Klubet e Tironës dhe Vllaznisë, mediat dhe portalet online për veprimet antiligjore që kanë ndërmarrë për shkatërrimin e garës së ndershme.

Nëpërmjet kësaj deklarate, i bëjmë thirrje organeve kompetente, nisjen e procedimit dhe hetimin deri në zbardhje të plotë të këtyre veprimeve haptas korruptive, që ndikojnë në përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve në futbollin shqiptar, në shkelje të disa neneve në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

I bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit, marrjen e masave ndaj të gjithë atyre ekipeve dhe individëve që ndërmarrin veprime abuzive në shkelje të fairplay-t, legjislacionit sportiv dhe penal.

Flamurtari FC do të vazhdojë të gjitha hapat ligjor për dënimin e këtyre veprimeve të turpshme dhe deklarimeve publike për blerjen e qëndrimit në Kategorinë Superiore të Kampionatit Shqiptar të Futbollit dhe të trumbetuara mediatikisht si të drejta legjitime", thuhet nga Flamurtari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat