Salihi kërkon falje pas dënimit të rëndë nga FSHF-ja

Futboll

Salihi kërkon falje pas dënimit të rëndë nga FSHF-ja

Më: 26 maj 2017 Në ora: 01:09
Hamdi Salihi

Pas vendimit të dhënë sot nga komisioni Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, me dënimin e dy futbollistëve të Skënderbeut, Tefik Osmanit dhe Hamdi Salihit, ka reaguar ky i fundit

Lojtari bardhekuq ka kërkuar ndjesë për veprimin e bërë, pasi ai doli jashtë natyrës së tij pas vendimeve të gjyqtarit Enea Jorgji.

Ai për sjellje të keqe është suspenduar për dhjetë ndeshje, përderisa Osmani me tetë ndeshje.

Salihi, i penduar për gabimin e tij, kërkon ndjesë të gjithë sportdashësve duke u shprehur që pavarësisht gjithçkaje, futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe lojtarët duhet të tregohen profesionistë e të jenë gjakftohtë, pavarësisht provokimeve nga faktorë të ndryshëm.

“Më vjen keq, vërtetë për atë çfarë ndodhi në fushën e lojës, në atë përballje finale. Tensioni, presioni dhe nervat e lojës janë në nivele shume të larta, pasi po shikonim që mundi dhe sakrifica jonë po hidhej poshtë nga një individ, por duhej të ruanim qetësinë dhe të vazhdonim lojën me ato mundësi që kishim”, tha Salihi.

“Më vjen keq për veprimin e nxituar, por nervat e lojës ndikuan shumë. Ai nuk është një veprim shembull për të ardhmen e futbollit, ashtu siç nuk janë dhe provokimet që na u bënë në fushë” shtoi sulmuesi i Skënderbeut.

“Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, në veçanti të tifozëve të Skënderbeut, pasi siç dihet, natyra e vërtetë e Salihit, por edhe e gjithë klubit të Skënderbeut nuk është ajo që u pa në Kukës”, tha mes tjerash Salihi për faqen zyrtare të klubit.

Skënderbeu përmes faqes zyrtare gjithashtu ka konfirmuar që Mici dhe Latifi sot janë në Beograd për terapi intensive speciale pas dëmtimeve të rënda që pësuan në atë ndeshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat