Sermaxhaj: Çdo gjë e parë mbetet në histori

Futboll

Sermaxhaj: Çdo gjë e parë mbetet në histori

Nga: Kemajl Goca Më: 18 qershor 2017 Në ora: 17:29
Genc Sermaxhaj

Nesër në Nion të Zvicrës, Trepça ’89 dhe Prishtina, do t’i mësojnë rivalët e tyre për në Champions League përkatësisht Europa League.  Ish-futbollisti i mirënjohur, Genc Sermaxhaj, ka thënë se është vërtet e kënaqshme që për herë të parë do të jemi pjesëmarrëse në ngjarjet më të mëdha evropiane.   “Jemi të kënaqur me prezencën e ekipeve tona në Champions dhe Europa League, shpresojmë që shorti të sjell ekipe të lehta në raundin e parë, sepse dihet që do ta kemi të vështirë të luajmë me ekipe të cilat janë kampione në kampionatet e tyre dhe këto kompeticione janë shumë të vështira sidomos për ne, ngase jemi për herën e parë. Besoj se është ndjenjë e mirë për dashamirët e futbollit  në veçanti për futbollistët dhe tifozeritë e tyre, që ekipet e tyre të përballen për herë të parë dhe do të jetë diçka interesante për ne.

Shpresoj që të kemi paraqitje të mira dhe uroj klubin e Trepçës ‘89, dhe Prishtinës në këto gara!”, ka deklaruar Sermaxhaj. Ai më tutje tha se do të jetë një ditë historike: “Natyrisht që është kjo ditë që do të shënohet si histori për dy klubet e mëdha në vendin tonë dhe çdo gjë e parë mbetet në histori. Të jemi të sinqertë, e kemi të vështirë përballjet me këta kundërshtare, por me përforcimet që bëhen në klubet tona, tani nuk mendoj se jemi edhe shume larg tyre. Vështirë do ta kemi, por ka hapësirë edhe për befasi”, ka thënë Sermaxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat