Euro U-21, Italia “thyen” Danimarkën

Futboll

Euro U-21, Italia “thyen” Danimarkën

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 11:32
Italia “thyen” Danimarkën

Italia i kundërpërgjigjet Gjermanisë. Të Kaltërit e Luiggi Di Biaggios e filluan në mënyrën më të mirë aventurën e tyre në grupin C të Europianit të 21-vjecarëve. Në Krakov, Italia kaloi me rezultatin 2-0 Danimarkën duke paralajmëruar Gjermaninë që më herët kishte triumfuar po 2-0 ndaj Republikës Ceke se gara për vendin e parë që të kualifikon në gjysmëfinale do të jetë një betëjë e fortë deri në fund dhe do të zgjidhet vetëm në përballjen direkte. Ishte një Itali me shumë yje ajo që zbriti në fushë. Nga Donnarumma në portë te Conti, Caldara , Rugani e Barreca në mbrojtje për të vazhduar me Pellegrinin, Gagliardinin e Benassin në mesfushë por edhe treshën e frikshme në sulm të përbërë nga Berardi-Bernardeschi e Petagna.  Pjesa e parë edhe pse foli më shumë për të Kaltërit nuk solli pothuajse asgjë madje rastin e parë e krijoi Danimarka por tentativa e Borsting nga distanca përfundoi pak mbi traversë.

Pas gjysmë ore loje Italia u kundërpërgjigj me Contin por goditja fluturimthi e mbrojtësit të Atalantës gjeti vetëm rrjetën e jashtme. Pjesa e dytë ishte tjetër histori pasi skuadra e Di Biaggios ishte më qartë në veprimet e saja sulmuese dhe pas një rasti të shpërdoruar nga Berardi, 21-vjecarët e Italisë gjetën golin e avantazhit. Në të 54-tën Lorenzo Pellegrini mesfushori që sezonin e fundit ishte pjesë e Sassuolos përfitoi nga një top i larguar jo mirë dhe me një roveshatë spektakolare mposhti, Hojbjerg. Për të mbyllur llogaritë me përfaqësuesen nordike dhe për të vulosur fitoren e Italisë mendoi Petagna që pas disa tentativave të pritura nga portieri, në të 86-tën mposhti Hojbjerg duke e cuar rezultatin në 2-0. Me këtë fitore Italia e 21-vjecarëve u ngjit në kuotën e 3 pikëve dhe kryeson grupin C, sëbashku me Gjermaninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat