Dallku: Kemi kundërshtar mjaft të vështirë

Futboll

Dallku: Kemi kundërshtar mjaft të vështirë

Më: 27 qershor 2017 Në ora: 19:15
Lojtarët e Prishtinës

Futbollisti me përvojë i Prishtinës, Armend Dallku, shprehet se janë munduar të përgatiten sa më mire për ndeshjen me Norrkoping-un, e vlefshme për Europa League. “Me kushtet që i kemi në dispozicion ne jemi munduar të përgatitemi maksimalisht, duke mos pasur mundësi të udhëtonim për arsye të ndryshme. Pra, përgatitjet i kemi bërë në Gjakovë në fushën e Vëllaznimit çka i falënderoj shumë punëtorët e stadiumit që çdo ditë janë përkujdesur për kushtet optimale për punë. Ndërsa kjo ndeshje është moment historik si për klubin po ashtu edhe për futbollin kosovar. Është hera e parë dhe kemi kundërshtar mjaft të vështirë, por nëse ekziston dëshira dhe vullneti asgjë nuk është e paarritshme. Çdo ditë kemi biseduar që të jemi të përgatitur psiqikisht për ‘tiu kundërvu këtij kundërshtari shumë të papërshtatshëm dhe i vështirë, por ne do të japim maksimumin që nga ndeshja e parë të dalim me rezultat pozitiv”, tha Dallku.

“Ne kemi lojtarë që kanë luajtur në këso kompeticione çka e kemi përparësi, por kemi edhe lojtarë të rinj që për ta është ambient ndryshe dhe jemi duke biseduar me ta që mos të kenë eufori dhe nuk është gjithçka e paarritshme, por gjithçka vendoset në fushë. Pra, e them që kemi kundërshtar të fortë, por ia lëmë fushës që ajo të tregoj cilësitë dhe me 29 qershor të japim atomin e fundit që t’ia lëmë të vendos kualifikimin ndeshja e dytë”, theksoi Dallku.

“Fusha apo koha nuk luajnë rol. Ajo fushë nuk është siç jemi mësuar ne këtu me disa fusha tona, por mund të luhet edhe me taka hekuri dhe ajo nuk është faktor. Mbase klima mund të jetë pak, por edhe ajo është e njëjtë për të dyja ekipet, por duhet të vendos vullneti angazhimi i gjithsecilit”, ka thënë kapiteni Dallku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat