Klubet shqiptare me mungesë strategjie afatgjatë, shpërbëhen para Europës

Futboll

Klubet shqiptare me mungesë strategjie afatgjatë, shpërbëhen para Europës

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 16:24
Pamje nga një sfidë

Përgatitjet e tre klubeve shqiptare për Ligën e Europës kanë nisur prej disa kohësh dhe ajo që bie në sy jo për mirë janë lëvizjet e shumta që ato bëjnë në merkato gjatë kësaj periudhe. Ose thënë më ndryshe, klubet zhbëjnë punën e tyre të një viti duke punuar me plane afatshkurtra. Në pjesën më të madhe të kohës ndërtohet një skuadër, e cila përfaqësohet në kampionat dhe pasi sigurojnë një vend në Europë, nisin të bëjnë ndryshime radikale.

Ky është një nga elementët që ndikon në ecurinë e klubeve shqiptare nën Europë, të cilët nuk shkojnë shumë larg, ose edhe kur kjo ndodh është në raste të rralla. Përveç kësaj këto lëvizje u sjellin jo pak penalizime financiare klubeve respektive. Pas kthimit nga Kategoria e Parë dhe në vitin që siguroi Europën, Partizani me të drejtë bëri ndryshime, por gjatë këtyre viteve të kuqtë kanë krijuar një bosht dhe sezonin e shkuar luajti me lojtarë kryesisht të rinj në Europë duke bërë deri diku mirë.

Ndërsa këtë vit kanë larguar tre nga lojtarët që kanë mbajtur peshë në sezonin e shkuar. Por, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Tiranën e Skënderbeun, ku ka një mungesë strategjie. Këto janë disa politika të klubeve që hartohen nga njerëz të specializuar, të cilët duhet të bëjnë një plan afatgjatë, duke mos prekur boshtin e skuadrës, por vetëm përforcuar atë me elementë të nevojshëm. Natyrisht që këto lëvizje nuk mund të paragjykohen, pasi mund të jenë të suksesshme në Europë, por lëvizjet që ata bëjnë stonojnë shumë.

Me gjashtë futbollistë të larguar dhe pesë të afruar të kuqtë kanë prishur boshtin e skuadrës, që luftoi deri në fund të sezonit të shkuar për titullin kampion. Të kuqtë nuk do të kenë në Europë, Ramadanin, Torasën edhe Ekubanin që kanë mbajtur peshë të madhe në mesfushë dhe sulm. Ndërkohë që nuk do jetë më pjesë e ekipit dhe Cetkoviç, i cili jepte siguri. Ndërkohë është afruar Progni dhe Kotobelli që janë kanë bërë një gjysmë sezoni të mirë me Teutën, ndërsa afrimet e tjera mbeten për t’u parë.

Rikthimi i Sukajt dhe Mazrekajt në formën e tyre më të mirë japin garanci. Kështu që sulmi i të kuqve ndryshon totalisht, pasi në ndeshjen e parë të Europës trajneri Starova pritet të luajë me Prognin, Sukajn dhe Mazrekajn. Me përjashtim të të parit, dy të tjerët kanë qenë pjesë e ekipit, por për shkaqe dëmtimi nuk kanë arritur të kenë prezencë në ndeshjet e kampionatit të shkuar.

Korçarët janë gjithashtu një prej ekipeve që kanë pasur largime lojtarësh të rëndësishëm dhe këtu mund të përmendet Hamdi Salihi. Vendi i lënë bosh prej tij ende nuk është plotësuar pasi edhe blerja më e fundit, Vujoviç, nuk është në formë. Ndërkohë që janë afruar Taku, Shkodra, Dita e Dajsinani. Te largimet mund të përmendim Predeskun e Ogunjimin të afruar me bujë, por që nuk bindën, si dhe Orelesin që ishte jashtë forme. Këto lëvizje pa dyshim që do të ndikojnë në formacionin e trajnerit Daja, i cili vazhdon të ketë probleme me sulmin dhe kërkon një zgjidhje imediate nga drejtuesit e skuadrës së tij, raporton panoramasport.

Rënia në Kategorinë e Parë i ka detyruar deri diku drejtuesit e Tiranës që të bëjnë disa lëvizje në merkaton e verës. Ata i kanë drejtuar sytë kryesisht nga lojtarët e rinj dhe janë munduar të ruajnë grupin. Nga formacioni titullar i sezonit të shkuar, Teqja ka lënë vendin bosh në qendër të mbrojtjes, por edhe Taku në mesfushë është një humbje e madhe, pasi ky i fundit ishte shfaqur edhe golashënues. Është përfshirë në skuadrën e parë Berisha nga akademia si dhe pritet të jetë titullar në formacionin e trajnerit Ze Maria në ndeshjen e nesërm edhe sulmuesi i ri Sentamu, i ardhur së fundmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat