Gjermania “B” vuan, por fiton Kupën e Konfederatave

Futboll

Gjermania “B” vuan, por fiton Kupën e Konfederatave

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 21:58
Foto nga ndeshja Gjermani-Kili

Zgjedhja e Joachim Low për të marrë në Kupën e Konfederatave një grup lojtarësh të rinj dhe për të lënë pushim pjesën më të madhe të titullarëve të Gjermanisë ka qenë e suksesshme. Kampionët e botës në fuqi kanë fituar Kupën e Konfederatave të zhvilluar në Rusi. “Die Mannschaft” ka mposhtur kombëtare e Kilit me rezultatin e ngushtë 1-0, aq sa i duhej për të ngritur kupën në “Krestovsky Stadium” të Shën Pertësburgut. Kjo ka qenë ndeshja e pesëmbëdhjetë radhazi e skuadrës së Joachim Loë pa pësuar humbje: 12 fitore dhe 3 barazime.

Siç e tregon edhe rezultati, nuk ka qenë një fitore aspak e lehtë për gjermanët, të cilët kanë vuajtur për pjesën më të madhe të ndeshjes, teksa Kili ka konfirmuar edhe në ndeshjen e sotme problemin e parë në takimet e mëparshme. Alexis Sanchez me shokë krijojnë shumë raste, por nuk arrijnë të finalizojnë. Ka qenë ‘bavarezi’ Vidal ai që ka shkuar afër golit pas vetëm 5 minutash lojë, por goditja e tij është ndalur nga ter Stegen. Dominimi i “La Roja” ka qenë i plotë, por ka qenë Gjermania ajo që ka gjetur golin me Stindl. Werner ka vjedhur një top nga mbrojtja e Kilit dhe, i ndodhur i vetëm përballë Bravo-s, ka pasuar te shoku i tij i skuadrës që ka dërguar topin në rrjetë pa problem.

Problemet e amerikanojugorëve në finalizim kanë vazhduar në minutat pasuese, teksa Claudio Bravo ka mbajtur në lojë kombëtaren e tij me pritjen e bukur të bërë në fundin e pjesës së parë ndaj Gortezka-s. 45 minutat e dyta kanë vazhduar me të njëjtin ritëm, me kilianët që kanë kërkuar me ngulm golin e barazimit dhe gjermanët që janë mbrojtur mirë, duke provuar të godasin me kundërsulm. Pavarësisht tentativave të shumta të Kilit, mbrojtja e Low ka arritur të rezistojë deri në fund dhe të triumfojë në Rusi, vendi ku do të kërkojë të mbrojë titullin e kampiones së botës një vit më pas. Lajmi i frikshëm për rivalët e gjermanëve është se mosha mesatare e kësaj kombëtareje është vetëm 2 vite e 244 ditë më e madhe se ajo e përfaqësueses U-21 që mposhti të premten e kaluar Spanjën në finalen e Euro Under 21. Nëse dita e mirë duket nga mëngjesi…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat