Ja çfarë thonë trajneri i Prishtinës dhe Norrkoping pas ndeshjes se sontme

Futboll

Ja çfarë thonë trajneri i Prishtinës dhe Norrkoping pas ndeshjes se sontme

Më: 6 korrik 2017 Në ora: 22:30
Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi

(E plotësuar) -  Trajneri i Norrkoping, Jens Gustafsson, ka thënë së është i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij kundër Prishtinës (1-0), derisa me rezultatin e përgjithshëm prej 6-0, skuadra suedez kalon në rrethin tjetër të garave në Europa League.

Gustafsson: Ne çdo herë japim 100 përqindëshin

“Ne çdo herë japim maksimumin 100 përqind. Kësaj radhe kemi pasur rezultat të mirë dhe kemi pasur lojtarë që i kemi shfrytëzuar më ndryshe, sepse pas tri ditëve kemi lojën tjetër”, ka thënë Gustafsson.

Ai ka lavdëruar skuadrën e Prishtinës, veçmas për ndeshjen e sontme.

Gustafsson: Prishtina tregoi lojë cilësore

“Ka qenë një lojë ndryshe nga ajo e kaluar, kanë treguar lojë cilësore dhe kanë qenë shumë më të përgatitur”, tha ai.

Ndërkaq, Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi pas humbjes kundër Norrkoping, tha se skuadra e tij në këtë ndeshje hyri me më shumë përgjegjësi dhe e kërkoi golin, por sipas tij, pas pesë golave të pësuar në ndeshjen e parë, ka qenë vështirë të bëhet diç më shumë. Tekniku prishtinas shtoi se Prishtinës i duhet ende kohë të përballet me skuadra të këtij niveli, raporton KosovaPress.

Thaçi: Prishtinës i duhet ende kohë që të përballet me këso skuadra

“Kjo ndeshje ishte më shumë përgjegjësi, më shumë insistuam të shënohet një gol. Pas pesë golave që kemi pësuar si mysafirë, ka qenë e shkurtër që ne të bëjmë më shumë. Ne duhet ende kohë të përballemi më skuadra të këtij niveli. Sido qe të jetë jam i kënaqur me detyrat e lojtarëve në këtë ndeshje”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se ka qenë i vetëdijshëm se skuadrën e tij e pret një sfidë e vështirë, por ai është i kënaqur që në këtë ndeshje kishin hapësirën e tyre edhe lojtarët e rinj.

Thaçi: U angazhuam shumë, por kemi ende punë për të bërë  

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi deklaroi se sot bënë angazhim maksimal, pavarësisht humbjes 1:0 nga Norrkopingu.

Sipas tij, dallimin në këtë ndeshjes e bëri përvoja dhe përgatitja.

“Përveç eksperiencës kanë edhe përgatitjen. Me u përballë me këto nivele na duhen edhe shumë kohë, organizim, infrastrukturë etj”, ka thënë fillimisht Thaçi pas ndeshjes.

“Sot jam jashtëzakonisht i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Po të luanim në ndeshjen e parë kështu do ta futnim në presion kundërshtarin”.

“Patëm disa raste dhe nuk i konkretizuam, ata shënuan nga një rast i vetëm. Sot ia dhamë rastin edhe 16-vjeçarit Bleon Sekiraqës, që është kënaqësi”, përfundoi trajneri i Prishtinës.

I pyetur se a do të vazhdojë ta drejtojë Prishtinën ai tha se ka kontratë edhe një vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat