Ylli Shehu: Partizani nuk do të vazhdojë më me këtë ekip, në krye do të jetë një trajner italian

Futboll

Ylli Shehu: Partizani nuk do të vazhdojë më me këtë ekip, në krye do të jetë një trajner italian

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 22:40
Partizani

Partizani u eliminua në mënyrën më të shëmtuar të mundshme nga Liga e Europës me dy humbje dhe dy paraqitje shumë të dobëta. Të kuqtë ishin shumë larg ekipit të vitit të kaluar që surprizoi në Europë. Një dështim që solli largimin e trajnerit Sulejman Starova, në një kohë që është paralajmëruar revolucion në stol dhe në ekip.

Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Ylli Shehu bën analizën e paraqitjes së skuadrës në Europë dhe tregon arsyet se pse dështuan të kuqtë. Sipas tij, largimet e titullarëve ishin vendimtare në paraqitjet e dobëta të skuadrës. Shehu komenton edhe dorëheqjen e Starovës dhe jep mendimin e tij në lidhje me trajnerin e ri.

“Me pretendimet që ka klubi, kam bindjen se do të jetë një teknik i huaj. Edhe afrimi i Luçiano Moxhit në krye të klubit besoj se do të sjellë ndonjë trajner italian. Nuk jam në dijeni të projektit që mund të ketë klubi me Moxhin. Por, intuita më thotë se do të jetë trajner italian në krye të Partizanit”, jep parashikimin e tij Shehu në intervistën për gazetën.

Për sa i përket kampionatit të ardhshëm, trajneri thotë: “Gjithçka do të varet nga afrimet që do të bëjë skuadra në këtë merkato. Nuk besoj se do të vazhdohet më me këtë ekip duke parë dy ndeshjet e Ligës së Europës. Kam bindjen se drejtuesit e dinë tashmë se ku janë pikat e dobëta të ekipit dhe do të bëjnë afrimet e nevojshme”.

Partizani u eliminua me dy humbje dhe dy paraqitje shumë të dobëta nga Liga e Europës. E prisnit këtë eliminim të tillë të skuadrës së kuqe?
Realisht, ndeshjet ishin të dobëta të dyja. Mendoj se ndikuan shumë largimet e futbollistëve. Ikën lojtarë të rëndësishëm si Ekubani, Torasa apo Cetkoviçi, të cilët ishin shtylla të ekipit. Futbollistë që kishin mbajtur peshën gjatë kampionatit të kaluar.

Si duhej zgjidhur ajo situatë, në një kohë që klubi nuk kishte një “plan B”?
Ata futbollistë sigurisht që duheshin zëvendësuar, por në atë moment nuk është e lehtë të gjesh lojtarët e duhur kur je vetëm pak ditë larg për të luajtur. Mendoj se klubi duhej të bënte me ta një kontratë që të luanin edhe në ndeshjet e Kupave të Europës dhe pastaj të largoheshin. Ishte turi i parë dhe takimet do luheshin shpejt. Në këtë mënyrë, Partizani e kishte të vështirë që të gjente lojtarë në atë periudhë.

Vetëm dy ditë më parë dha dorëheqjen edhe trajneri Sulejman Starova. Si e vlerësoni largimin e tij?
Starova u bë trajner i Partizanit në mënyrë spontane. Në momentin që u largua Sormani, u bë Starova trajner. Dhe vazhdoi ecuria pozitive e skuadrës me “Bobin” në stol. Pati një ecuri shumë të mirë dhe drejtuesit vendosën që ai të qëndronte në stolin e kuq. Gjithmonë, Partizani ka synuar për një trajner të huaj. Dhe erdhi momenti që Starova u tërhoq.

Në këtë moment, mendoni se Partizanit i duhet një trajner shqiptar apo i huaj?
Besoj se Partizani do të zgjedhë një trajner të huaj. Me pretendimet që ka klubi, kam bindjen se do të jetë një teknik i huaj. Edhe afrimi i Luçiano Moxhit në krye të klubit, besoj se do të sjellë ndonjë trajner italian. Nuk jam në dijeni të projektit që mund të ketë klubi me Moxhin. Por, intuita më thotë se do të jetë trajner italian në krye të Partizanit.

Si e shikoni Partizanin e kampionatit të ardhshëm, do jetë sërish pretendent për titull?
Gjithçka do të varet nga afrimet që do bëjë skuadra në këtë merkato. Nuk besoj se do të vazhdohet më me këtë ekip duke parë dy ndeshjet e Ligës së Europës. Gjithsesi, në ato dy përballje ndikoi edhe lodhja e gjithë vitit dhe lojtarët nuk arritën të tregonin vlerat e tyre më të mira.

Kam bindjen se drejtuesit e dinë tashmë se ku janë pikat e dobëta të ekipit dhe do të bëjnë afrimet e nevojshme. Por, për momentin, është shpejt të flasim, pasi do të shihet merkato dhe lojtarët që do të afrohen. Më vonë mund të krijojmë një ide të qartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat