Hajvalia pretendon të përgatitet sa më mirë për garat e Champions League në konkurrencën e femrave. Drejtuesit e kësaj skuadre krahas shumë përforcimeve, kanë angazhuar edhe qendërmbrojtësen nga shteti shqiptar, Rabie Tota, e cila edicionin e kaluar luajti për Mitrovicën. Tota ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot” se është pritur jashtëzakonisht mirë në klubin kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, Hajvalia.
Ajo zotohet se do të jap maksimumin për këtë klub dhe të arrijnë që ta kalojnë rrethin e parë në Champions Leagua, ku janë në grup me BIIK-Kazygurt (Kazakistani), MTK (Hungaria) e Sporting CP (Portugalia). Tota tregon arsyet pse iu bashkua Hajvalisë. “Qe disa vite është ekipi kampion në Kosovë, i ka kushtet më të mira dhe marrin pjesë në Champions League. Dhe jam e lumtur që erdha në këtë pikë të karrierës sime”, tha Tota.
Hajvalia është në grup të vështirë, a besoni se mund ta kalon grupin? “Jemi në një grup të vështirë, por me përgatitjen që po bëjmë, vullneti dhe me besimin që kemi, mendojmë se po, mund ta kalojmë grupin. Shpresojmë se do të befasojmë për të mirë”, shpreh optimizmin qendërmbrojtësja.
Ajo ka fjalë të mira për futbollin në përgjithësi në Kosovë: “Të themi të vërtetën futbolli femëror këto vitet e fundit në Kosovë ka përparuar dhe besoj se për disa vjet do të jetë një ligë akoma më e fortë”. A jeni e kënaqur me kushtet që iu janë afruar? “Për momentin nuk është keq, por besoj se në të ardhmen do të jetë shumë herë më mirë”, tha Tota.