Shkëndija për herë të parë në historinë e saj...

Futboll

Shkëndija për herë të parë në historinë e saj...

Nga: B.S Më: 20 korrik 2017 Në ora: 12:18
Pamje nga stërvitja

Skuadra e futbollit Shkëndija nga Tetova sot zhvillon takimin e kthimit të xhiros së dytë të UEFA Europa League.

Futbollistët janë “njoftuar” me terrenin e stadiumin “Telia 5G-Arena” në Helsinki, duke kërkuar të përshtaten me barin sintetik para përballjes të së enjten kundër ekipit finlandez HJK.

Edhe pse me ndryshime evidente, seanca stërvitore ka kaluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duket se futbollistët nuk do të kenë problem për të dhënë më të mirën. Përveç Mevlan Muratit që nuk ka udhëtuar drejt Finlandës shkaku i dëmtimit, të gjithë futbollistët tjerë janë të gatshëm për lojë dhe trajneri Osmani do të zgjedh ekipin në varshmëri të nevojave taktike.

HJK Helsinki-Shkëndija luhet me fillim në orën 18:00

Shkëndija për herë të parë në historinë e saj do të zhvillojë një ndeshje në Kupat e Evropës në teren me bar sintetik, ndërsa në kampionatin e Maqedonisë e ka provuar para dy sezoneve kur shkaku i punimeve në stadiumin e Tetovës, disa ndeshje si vendase i luajti në stadiumin në Veles ku fusha është me bar sintetik. Stadiumi “Telia 5G-Arena” është tereni vendas i HJK Helsinkit. Bëhet fjalë për stadium modern, me kapacitet prej 10.770 vendeve, të gjitha të mbuluara, ndërsa përveç HJK Helsinkit i njejti shfrytëzohet edhe nga HIFK dhe ekipi i dytë i HJK-s, Club 4. Stadiumi është ndërtuar në harkun kohor prej 10-të muajve ndërmjet viteve 1999-2000 nga autoritetet lokale të qytetit të Helsinkit, emri i parë ishte “Finnair”, ka kushtuar 18.5 milion euro, ndërsa ndeshja e parë është luajtur në qershor të vitit 2000 ndërmjet HJK Helsinkit dhe FC Jokers (0:3). Edhe pse fillimisht terreni kishte qenë me bar natyral, në vitin 2003 fusha është zëvendësuar me bar sintetik, vendim ky që asokohe ishte kritikuar nga qarqet e futbollit dhe mediat vendase. Pikërisht në vitin 2003 në këtë stadium janë zhvilluar ndeshje të Kampionatit Botëror për futbollistë U 17, duke u bërë hera e parë që një turne përfundimtar i FIFA-s të luhej në terren me bar sintetik. Në vitin 2006 tereni sintetik është zëvendësuar me tjetër fushë sintetike shumë më kualitative sipas standardeve të FIFA-s që ngjason me barin natyral. Në vitin 2009 në këtë stadium janë zhvilluar ndeshje të Kampionatit Evropian për femra dhe në këtë periudhë fusha përkohësisht është zëvendësuar me teren me bar natyral. Në vitin 2010 erdhi deri te ndrimi i emrit, pasi përfundoi kontrata ndërmjet kompanisë “Finnair” dhe autoriteteve të stadiumit, që si pasojë u ndryshua emri në “Sonera Stadium” pas marrëveshjes me operatorin telefonik.

Ky emër qëndroi aktiv deri në vitin 2013, kur kompania “Sonera” vendosi të ndryshojë emrin në “Telia 5G”, prej ku erdhi edhe emri i ri i stadiumit “Telia 5G-Arena”. Fusha për herë të fundit është rinovuar në vitin 2015, sërish me bar sintetik, pasi si që thonë vetë nga HJK Helsinki nga kushtet atmosferike bari natyral nuk është i qëndrueshëm. Për ndeshjen e të enjtes ndërmjet HJK Helsinkit dhe Shkëndijës pritet në tribuna të ketë 5-6000 spektatorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat