Duka: Panuçi pa eksperiencë? Ashtu si Zidane

Futboll

Duka: Panuçi pa eksperiencë? Ashtu si Zidane

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 12:23
Christian Panuçi dhe Armando Duka

Trajneri i ri i kuqezinjve, Christian Panuçi u prit me shumë interes nga të gjithë për faktin se cilësohet si një trajner pa eksperiencë. Diçka e tillë e ka ndarë opinionin sportiv në dy kahe të kundërta. Karrierë e tij si futbollistë ka qenë e pasur pasi ka luajtur me skuadra të mëdha dhe njëkohësisht ka fituar edhe shumë trofe.

Ai ka qenë gjithmonë pjesë e niveleve të larta në fushën e blertë por të paktën si futbollist. Në fushën e trajnimit ai ka qenë zëvendës trajner i Rusisë në kohën kur skuadrën e drejtonte Fabio Capello. Kjo ngre pikëpyetjen e madhe nëse do të arrijë që të surprizojë dhe të përsërisë sukseset e De Biasit.

Në lidhje me këtë çështje presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka theksuar se beson verbërisht në aftësitë e 44-vjeçarit. Madje ai ka krahasuar atë me trajnerin e Real Madrid, Zinedine Zidane nisur nga eksperienca e pakët që kishte ky i fundit kur mori drejtimin e skuadrës spanjolle me të cilën ka korrur suksese të mëdha. “Ne e kemi pasur ëndërr ta shohim në televizor dhe jo më “live”. Është një nga emrat më të mëdhenj ndër vite të futbollit italian.

Duhet ta kemi për nder që e kemi këtu. Ka bërë shumë mirë atje ku ka trajnuar. Nuk besoj që ka më pak se Zidane”, është shprehur shkurtimisht presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai tregon edhe arsyen përse vendosi që drejtimin e skuadrës ta merrte një trajner italian. Sipas tij kjo erdhi pasi strategët italian janë më të përgatiturit  në botë dhe kanë një disiplinë shumë të fortë. “80% e mendimit teknik në Federatë, por jo vetëm, ka qenë e mendimit se duhet të kishim një trajner italian, pasi shkolla e tyre ka sjellë trajnerë të suksesshëm.

Italianët janë më të disiplinuarit në botë për futbollin dhe disiplina është shumë e rëndësishme në këtë sport. Kjo është një nga gjërat kryesore që të merrnim trajner italian”, ka theksuar kreu i FSHF-së Armando Duka. Ai ka vijuar më tej duke thënë se tashmë ndihet shumë i shqetësuar sesa para nënshkrimit me trajnerin për faktin sesi do të ecin gjërat. Nëse do të kemi sukses dhe do të korrim rezultate pozitive.

Megjithatë trajneri i ri do të ketë një sfidë jo të lehtë në kombëtaren kuq e zi. Kjo për faktin se i duhet të njihet me kontingjentin e lojtarëve që ka në dispozicion në një kohë të shkurtër. Ndeshja e radhës do të luhet në datën 2 shtator ndaj skuadrës së Lihenshtejnit në  stadiumin “Loro Boriçi”. Një përballje kundër një kundërshtari të dobët ku nuk pranohet rezultat tjetër përveç fitores.

Pas tre ditëve ekzaktësisht në datën 5 shtator kuqezinjtë do të udhëtojnë në drejtim të fqinjëve të Maqedonisë. Një ndeshje kjo mjaft e rëndësishme pasi tre pikët janë jetike në garën për vendin e tretë e cila është objektivi kryesor i Shqipërisë në këto eliminatore të Botërorit “RUSI 2018”.

Më pas në datën 6 tetor kuqezinjtë do të përballen ndaj Spanjës në Alicante. Sfidë jashtëzakonisht e vështirë por që detyra jonë është që të luajmë me dinjitet. Dhe ndeshja e fundit në 9-të tetor nuk do të jetë jo e lehtë për teknikun pasi do të luajë kundër atdheut të tij, Italisë. Madje për këtë ndeshje ai ka thënë se do të bëjë të pamundurën që t’i shkaktojë humbje italianëve.

Por përpara këtyre sfidave Panuçi duhet të njihet në detajë me grupin që ka në përbërje Shqipëria. Mbetet të shihet sesi do të jetë marrëdhënia e tij me mesfushorët Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe, të cilët kanë pasur jo pak probleme me ish-teknikun Gianni De Biasi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat