Dushani: Për Skënderbeun më ka spiunuar Levi

Futboll

Dushani: Për Skënderbeun më ka spiunuar Levi

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 11:27
Dushan Uhrin

Trajneri i Mllada Boleslav, Dushan Uhrin, është i ndërgjegjshëm se për skuadrën e tij, dueli ndaj Skënderbeut nuk do të jetë aq i thjeshtë sa ai i javëve të kaluara ndaj irlandezëve të Shemrok Rovers.  Tekniku, në konferencën e djeshme për shtyp, e vlerësoi shumë skuadrën korçare dhe bëri thirrje për kujdes, raporton panoramasport.

“Unë jam i sigurt se ne do të kemi përballë një ekip shumë më teknik se Shamrok Rovers që luajtëm në turin e dytë. Lojtarët e Skënderbeut luajnë një futboll taktikisht të mirë. Kemi marrë informacione të rëndësishme se si luajnë ata. Synimi ynë është një rezultat pozitiv në këtë ndeshje për të synuar më pas kualifikimin në turin tjetër”, tha Uhrin.

I pyetur nëse kishte kontaktuar me ish-trajnerin çek të Skënderbeut, Stanislav Levi, tekniku i Mladës tha: “Kam folur me të, por kanë kaluar pesë vite që kur ai ishte trajner i korçarëve. Ekipi ka ndryshuar shumë. Megjithatë, mendoj se më ka treguar gjëra që do të na vlejnë”.

Më tej, Uhrin vazhdoi duke thënë: “Për sa i përket ndeshjes së dytë ndaj Shamrok, kemi luajtur të relaksuar dhe jam i lumtur për atë që kanë dhënë lojtarët në fushë. Tashmë, është një sfidë tjetër, ku do të na duhet të tregohemi të kujdesshëm. Mehrabtu dhe Çamrosta janë aty për të shënuar gola dhe ne mbështetemi tek ata. Çamrosta pati një dëmtim të lehtë, por unë kam besim se ai do të jetë gati për këtë ndeshje.

Edhe lojtari i ri Nikolai Komliçenko do të jetë gati për takimin e së enjtes”, deklaroi trajneri Uhrin në konferencën e djeshme. Mlada e nisi në turin e dytë eliminator ku eliminoi Shamrok Rovers të Irlandës me dy fitore. Në sfidën e parë, çekët fituan 3:2 në transfertë dhe më pas 2:0 në takimin e kthimit në Çeki.

Sot, Mlada do të luajë sfidën e parë të turit të tretë eliminator ku në fushën e vet do të presë korçarët. Synimi i Mladës është që ta kalojë edhe këtë tur. Pritet një sfidë e fortë mes çekëve dhe Skënderbeut që nga ana e vet ka bërë paraqitje shumë të mira në dy turet e para, sidomos në sfidat ndaj Kairatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat