Demhasaj, një sulmues që do ta ngritë në këmbë Zvicrën!

Futboll

Demhasaj, një sulmues që do ta ngritë në këmbë Zvicrën!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 7 gusht 2017 Në ora: 16:30
Shkëlqim Demhasaj kur shënon gol

Në elitën e futbollit zviceran luajnë me sukses disa shqiptarë, por pa dyshim se duhet veçuar edhe sulmuesin Shkëlqim Demhasaj që realizoi golin e parë të tij në këtë rang garash. Futbollisti nga Kosova është sebep që Luzerni barazoi me rezultat 2:2 kundër Grasshoppers-it, në ndeshjen e javës së tretë të Kampionatit të Zvicrës. Demhasaj ishte aktivizuar në minutën e 41-të, duke treguar lojë shumë të mirë dhe dy minuta pa përfunduar sfida, falë shkathtësisë së tij, nga afërsia barazoi rezultatin 2:2. Demhasaj edicionin e kaluar ka qenë shënuesi më i mirë te Schaffhauseni dhe njëherësh edhe në Challenge League, ndërsa tani realizoi golin e parë në fanellën e Luzernit. 21 - vjeçari shquhet me manovrimin me top dhe nuk të falë kur i jepet mundësia para portës. Synimi i sulmuesit është që të jetë edhe më energjikë në takimet e ardhshme dhe të tubojnë sa më shumë pikë, që të jenë në zonën e skuadrave që synojnë një vend në garat evropiane.

“Bota sot”: Shkëlqim, shënuat golin e parë në fanellën e Luzernit, si po ndjeheni?

Shkëlqim Demhasaj: Shumë mirë. Jam gëzuar shumë për gol, por jo për rezultat.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë të shënosh në çastet e fundit, kur ishit duke humbur?

Shkëlqim Demhasaj: Ka qenë shumë vështirë me shënuar gol, sepse Grasshoppers me tërë ekipin është mbrojtur. Prej minutës së parë deri në fund, na u dashtë me rreziku të gjithë dhe kështu që në minutën e fundit me ka ardhur topi dhe kam shënuar.

“Bota sot”: Pse nuk jeni të kënaqur me rezultat?

Shkëlqim Demhasaj: Sepse e kemi merituar fitoren, megjithatë nuk ia arritëm, por ka qenë sukses nga humbja 0:2 ta shndërrojmë rezultatin në 2:2. Ky rezultat nuk është i keq, duhet të jemi të kënaqur dhe të vazhdojmë tutje.

“Bota sot”: Në tri ndeshjet e para, një fitore, një barazim e një humbje, a keni pritur me tepër?

Shkëlqim Demhasaj: I kemi pritur gjashtë pikë në tri ndeshje, por edhe katër nuk është keq, sepse jemi në fillim të kampionatit, ka shumë ndeshje deri në fund.

“Bota sot”: A jeni i kënaqur me formën tuaj si sulmues?

Shkëlqim Demhasaj: Nuk mund të flas asgjë një herë, sa ka filluar edicioni, të shohim tutje.

“Bota sot”: Çfarë synoni me Luzernin?

Shkëlqim Demhasaj: Normalisht, do të luftojmë për pesë vendet e para, njëherësh të sigurojmë një vend në garat evropiane.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë për titull?

Shkëlqim Demhasaj: Besoj se do të jetë kampionati mjaft interesant, por në luftë për titull i shoh Young Boys e Baselin.

“Bota sot”: Sa është vështirë të luani në elitë, kur dihet se jeni paraqitur edicionin e kaluar për Schaffhausenin?

Shkëlqim Demhasaj: Është më vështirë se sa Challange League. Në Superligë ke shumë ekipe të forta dhe lojtar të mirë fizikisht dhe futbolli është më i shpejtë se sa në ligën e dytë.

“Bota sot”: Çfarë i premton shikuesve?

Shkëlqim Demhasaj: Sigurisht se shikues ka shumë më shumë se në Challenge League. Kështu që, të gjithë lojtarët duan të luajnë në një ligë ku ka më shumë shikues, siç është elita e futbollit zviceran. Premtoj lojëra sa më të mira në fanellën e ekipit tim.

“Bota sot”: Në javën e ardhshme kundër St. Gallenit të Albian Ajetit e Gjelbrim Taipit, çfarë prisni?

Shkëlqim Demhasaj: Presim lojë të fortë, sigurisht nuk ka me qenë lehtë. St Gallen në konak të saj ka fituar të dielën që e lamë pas kundër Sionit. Besoj se ka me qenë një lojë e mirë e me rivalitet deri në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat