Sioni i Tramezzanit ka ofruar deri në 400 mijë euro për kartonin e shqiptarit

Futboll

Sioni i Tramezzanit ka ofruar deri në 400 mijë euro për kartonin e shqiptarit

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 16:43
Memushaj

Prej javësh, Ledian Memushaj është lakuar si një nga futbollistët e kërkuar për të qëndruar në Serie A, por edhe si një nga dëshirat kryesore të Tramezzanit te Sioni.

Si për t’u dhënë të drejtë zërave të merkatos, Zdenek Zeman, trajneri i mesfushorit të Kombëtares, e ka lënë jashtë kapitenin në ndeshjen e Kupës së Italisë.

E vetmja logjikë për të cilën shpreheshin italianët se ka bërë trajnerin e Pescarës që të lërë jashtë kapitenin dhe dy titullarë në përballjen me Triestinën, është merkato.

Sipas mediave italiane, Memushaj dhe dy titullarët e tjerë të Pescarës janë lojtarë që pritet të largohen gjatë kësaj merkatoje.

Në këtë mënyrë, kur mundësitë e transferimit të Memushajt te Sioni janë rritur dhe për Benalin e Biragin përfliten bisedime që i rikthejnë në Serinë A, atëherë Zeman ka vendosur që të mos i përfshijë në skuadër.

Vetë Paolo Tramezzani, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, përmendte futbollistët shqiptarë si elementë shumë të rëndësishëm në planet e tij për faktin se i njeh mirë aftësitë që kanë dhe e ka të qartë se çfarë mund të japin.

Sioni i Tramezzanit ka ofruar deri në 400 mijë euro për kartonin e shqiptarit, ndërkohë që italianët kërkojnë të paktën dyfishin për ta lënë të lirë. Pas këtij vendimi të Zemanit, pritet që bisedimet mes palëve të saktësojnë destinacionin e shqiptarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat