Kastrati në formë, shpreson të ftohet kundër Kroacisë e Finlandës

Futboll

Kastrati në formë, shpreson të ftohet kundër Kroacisë e Finlandës

Nga: Kemajl Goca Më: 11 gusht 2017 Në ora: 15:34
Flamur Kastrati

Sandefjord po tregon rezultate shumë të mira në elitën e futbollit norvegjez, e cila mban mesin e renditjes përkatësisht vendin e tetë me 24 pikë të mbledhura. Rezultatet e këtij kolektivit pa dyshim se janë meritë edhe e sulmuesit shqiptar me prejardhje nga Peja, Flamur Kastrati. 25-vjeçari është në formë të mirë dhe deri me tash ka realizuar shtatë gola, duke u renditur aktualisht në pozitën e katërt në listën e shënuesve apo ka pesë me pak se lideri i listës, Ohi Omoijuanfo i Stabaek-ut. Kastrati ka shpejtësi dhe shkathtësi për të shënuar, shumë herë mbrojtja kundërshtare ka probleme për ta ndalë. Futbollisti këmbëshpejt premton edhe me shumë gola, por synimi i tij është me Sandefjord të jenë sa më lartë në tabelë, nëse i jepet rasti pse mos të sigurojnë edhe një vend në garat evropiane. Ai shpreson se kësaj here do ta ftoj përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, për dy ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’, e para luhet me 2 shtator ndaj Kroacisë dhe sfida e dytë, kundër Finlandës. Kastrati tha se e meriton një ftesë, duke e parë formën e tij. Sipas tij, është e drejtë e përzgjedhësit e fton apo jo, fundja shpreson se do t’i bëj një ftesë.

“Bota sot”: Flamur, skuadra e juaj Sandefjord, tani është në mes të tabelës, a i ka tejkaluar parashikimet deri me tash?

Flamur Kastrati: Deri më sot kemi bërë një sezon të mirë dhe janë edhe 12 ndeshje deri në fund, kështu që shumica e skuadrave jemi shumë afër njëra – tjetrës me pikë.

“Bota sot”:  Javën që e lamë pas shënuat për fitoren e Sandefjord-it me rezultat 3:1 në konak të Stabaek-ut, a është konfirmim i formës tuaj?

Flamur Kastrati: Jam në një formë të mirë, në katër ndeshjet e fundit kam realizuar tre gola dhe një asistim. Do të luftojë të shënojë edhe më shumë dhe ta ndihmojë skuadrën në realizimin e synimeve.

“Bota sot”: Nuk jeni larg zonës së skuadrave që kualifikohen në Evropë, a besoni se do të realizoni këtë qëllim?

Flamur Kastrati: Është një ekip e vogël dhe ambiciet e klubit janë që të jemi në top-10 ekipet më të mira. Gjasa ka, ta shohim deri në fund se si do të rrjedhin gjërat.

“Bota sot”: Deri me tash keni shënuar shtatë gola, jeni pesë sosh larg liderit te shënuesve, Ohi Omoijuanfo (Stabaek), a synoni epitetin e shënuesit më të mirë?

Flamur Kastrati: Imja është të jap kontributin tim, ndërsa shpresoj se do të arrij edhe më shumë! Jam në ekip që luajmë hapur e drejtpërdrejtë.

“Bota sot”: A mund te rrezikohet skuadra juaj edhe për largim prej ligës, ngase nuk jeni edhe larg zonës së skuadrave të rrezikuara?

Flamur Kastrati: Ka shumë ekipe që janë afër njëra – tjetrës me pikë, kjo po e bënë edhe me atraktiv kampionatin! E jona është të vazhdojmë me punuar dhe të arrijmë rezultate të mira! Se vetëm me punë e me lojëra të mira i fiton ato pikë që na duhen.

“Bota sot”: Jeni në formën më të mirë në vitet e fundit, a shpresoni në një ftesë të përzgjedhësit Albert Bunjaki për ndeshjet (me 2 shtator në Zagreb) kundër Kroacisë dhe ndaj (me 5 shtator në Shkodër) ndaj Finlandës?

Flamur Kastrati: Shpresoj. Trajneri i ka idetë dhe din çfarë lojtar me thirr! Ma merr mendja që kam treguar formën shumë të mirë dhe shpresoj se do të më fton, që unë ta tregoj veten në këto ndeshje.

“Bota sot”: Çfarë iu ka mbetur pa realizuar deri me tash në futbollin norvegjez dhe a mendoni se ka qenë hapi më i mirë që kaluat në Sandefjord?

Flamur Kastrati:  Duhet të tregoj formë gjithnjë e më të mirë dhe të shënoj edhe më shumë gola, ashtu si duhet të jetë një sulmues! Dhe ardhja në Sandefjord ka qenë shumë e qëlluar për me arritur suksese! Unë luajë shumë më mirë si qendërsulmues, por kur isha më herët në kombëtaren e Kosovës u aktivizova në krah! Unë luaj ku thotë trajneri, por cilësitë e mija duken më shumë në qendër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat