Manchester Utd demoloi West Ham-in

Futboll

Manchester Utd demoloi West Ham-in

Nga: Kemajl Goca Më: 13 gusht 2017 Në ora: 18:50
Pamje nga ndeshja

Futbollisti Romelu Lukaku pa dyshim se ka qenë përforcimi më i madh për Manchester Utd. Ai e dëshmoi veten në ndeshjen e parë të kampionatit anglez, duke shënuar dy gola, i ndihmuar nga Martial e Pogba me nga një gol për fitoren e madhe të Manchester Utd me rezultat 4:0 kundër West Ham-it. Në Old Trafford, një atmosferë e jashtëzakonshme dhe një lojë fantastike e belgut Lukaku, i cili e nisi siç është më së mirë në fanellën e Manchester Utd. Trajneri Jose Mourinho është sikurse në qiellin e shtatë, për fitoren në hapje të kampionatit, duke paralajmëruar se  skuadra e tij do të luftojë për titullin e kampionit në Premier League.

Në pjesën e parë pikërisht në minutën e 33-të, Marcus Rashford për mrekulli sikurse me milimetër pasoi një top në drejtim të Lukakut që ishte brenda 16-shit, i cili nuk mendoj shumë dhe pothuajse me të parën goditi fortë e në këndin e djathtë e plasoi topin në portë, 1:0. Në pjesën e dytë, sërish në skenë Lukaku. Ai ishte në ditën e tij dhe i pakapshëm për mbrojtjen e rivalit. Në minutën e 53-të, armeni Mkhitaryan nga gjuajtja e lirë rreth 20 metra, për mrekulli harkoi në 16-sh, ku Lukaku me kokë nga afërsia fërfëlloi topin në rrjetë, 2:0. Lukaku gjatë kësaj vere erdhi nga Evertoni, por pa dyshim që dëshmoi cilësitë e tija qysh në sfidën e parë me Manchester Utd. Anthony Martial në minutën e 88-të, nga afërsia e thelloi rezultatin në 3:0, kurse Paul Pogba nga rreth 20-21 metra vulosi fitoren në 4:0 përkatësisht në minutën e fundit. Manchester Utd kryeson renditjen, duke lënë pas Huddersfieldin, Manchester Cityn, Tottenhamin, Arsenalin, Burnleyn, Evertonin, West Bromwich-in me nga tri pikë. Në javën e ardhshme, Manchester Utd do të jetë mysafir i skuadrës uellsiane, Swansea.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat