Maliqi: Feronikeli, kandidati më seriozë për trofe

Futboll

Maliqi: Feronikeli, kandidati më seriozë për trofe

Nga: Kemajl Goca Më: 16 gusht 2017 Në ora: 16:07
Behar Maliqi

Feronikeli nga Drenasi është i përgatitur maksimalisht e me qetësi e presin edicionin e ri në elitën e futbollit. Kapiteni Behar Maliqi beson se do të startojnë me fitore. Ai tha se skuadra e tij pretendon t’i fitojë të gjitha trofetë. “Jemi përgatitur shumë mirë edhe kanë shkuar përgatitjet në mënyrën më të mirë e pa lëndime, kjo ka qenë më e rëndësishmja. E kemi ekipin shumë të mirë, andaj besoj se për titullin e kampionit dhe për Kupë do të jemi ndjekësit më seriozë”, thotë Maliqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Të shtunën (me 19 gusht) do të takoheni me Vllazninë, a jeni ne presion, kur dihet se kjo e fundit si debutues ka sjellë mjaft përforcime në afatin kalimtar?

“Çdo ndeshje është e rëndësishme edhe e zorshme megjithatë do ta respektojmë në maksimum Vllazninë, sepse ka trajner dhe lojtar të dëshmuar në futbollin tonë. Na duhet çdo ndeshje vetëm ta luajmë lojën tonë, atëherë edhe rezultatet do të vijnë”, theksoi ai. Më tutje tha se disa skuadra do të jenë në garë për titull: “Ka shumë skuadra  që do të luftojnë për titull, sepse janë me cilësi të njëjta.  Në luftë për titull janë Feronikeli, Trepça ’89, Prishtina, Gjilani, Drita dhe Liria, por mund të ketë edhe befasi, ngase dhe ekipet tjera janë cilësore”.

Çfarë i mungon në përgjithësi futbollit të Kosovës? “Në përgjithësi infrastruktura, se gjërat tjera kanë filluar me u përmirësuar, po ashtu e shohim se sa lojtar cilësor kanë ardhur, kështu që të gjitha ekipet pothuajse janë të një cilësie”, thotë Maliqi. Kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, pa dyshim se përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane, kjo është edhe një motiv shtesë për të gjitha skuadrat. “Pikërisht pjesëmarrja në garat evropiane, ka shtyrë klubet të jenë më të organizuara, sepse është koha të dëshmohen në Evropë, megjithëse vitet e para janë shumë të vështira për të gjitha shtetet edhe për ne si shtet, pra për ekipet tona”, tha Maliqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat