Bajrami fajëson lojtaret për humbjen nga MTK Hungaria

Futboll

Bajrami fajëson lojtaret për humbjen nga MTK Hungaria

Nga: Kemajl Goca Më: 23 gusht 2017 Në ora: 17:52
KFF Hajvalia

Hajvalia do ta ketë shumë të vështirë në dy ndeshjet e fundit të grupit 8 të kualifikimeve në Champions League në futboll (femrat). Pas humbjes me rezultat 2:0 nga MTK Hungaria, tani Hajvalia do të ballafaqohet me klubin nga Kazakistani, Shymkent dhe pastaj me portugezet Sportingu nga Lisbona. Kryetrajneri i kampiones, Hajvalia, Emin Bajrami, u shpreh kritikë ndaj futbollisteve të tija, sepse nuk luajtën ashtu siç duhej dhe sidomos bënë gabime.

“Edhe fati nuk ishte në anën tonë, por edhe përvoja e bëri të veten. Nuk jam i kënaqur aspak me repartin e mbrojtjes, ku ra përqendrimi, lanë shumë hapësira në mbrojtje. Nuk jam aspak i kënaqur, sepse ekipi që ka luajtur kundër ne, MTK, me përgatitje fizike ishte shumë me prapa se ne, por i toleruam dhe ia dhamë mundësinë me na dënuar. Më shumë e kemi mundur vetveten se sa na mundi MTK-ja”, tha Bajrami për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ai tha se edhe përparësia e fushës ka ndikuar: “Mendoj se skuadra hungareze ka pasur pak përparësi fushën, se kishte edhe tifozë në përkrahje të saj. Nuk është kjo arsye kryesore, e kemi ditur se ato janë vendase, jemi munduar të koncentrohem në lojë, prej minutës 60-të dolën jashtë pozicioneve dhe u shpartalluan”. Me 25 gusht, Hajvalia do të ndeshet me Shymkent, një ekip shumë e fortë.

Bajrami e pranon se në rast të fitores, do t’i hapen gjasat për kualifikim të mundshëm. “Në rast të fitores, jemi prapë në garë. Tash realitetin duhet të pranojmë, se nuk e kemi at nivel të ekipi të Kazakistanit Shymkent dhe të Sportingut. Ato kanë lojtare qe kanë luajtur për Chelseat, Veronën, Milanin, edhe ritmin dhe potencialin e kanë më të mirë. Sidomos skuadra kazake që mundi Sportingun, e cila ka shtatë lojtare që janë ardhur nga Premier League angleze, ka edhe të Kamerunit, është superfuqi. Edhe Sportingu është i një nivelit të njëjtë dhe me fat fitoi ekipi kazak”, tha Bajrami. “Nuk është real unë si trajner me thënë se ata janë më të forta se ne, por duhet me pranuar një realitet, duhet shumë punë e përforcime për Champions League”, theksoi ai. Mirëpo, Bajrami fajin ia lë edhe ligës së dobët në Kosovë. “Në Kosovë kemi probleme, nuk kemi kampionat të fortë, jemi pa konkurrencë, nuk kemi presion nga asnjë ekip përveç nga KFF Mitrovica”, ankohet Bajrami.

Ai shpreson qe ta befasojnë ekipin Shymkent: “Duhet të tentojmë që ta befasojmë, por realiteti është ndryshe, sepse është ekip shumë e fortë dhe me nivel të lartë, vetëm ndonjë mrekulli nëse ndodh mund të fitojmë”, tha Bajrami. Ai përveç mbrojtjes për humbjen nga MTK fajëson edhe repartet tjera. “Shumë më shumë kam pritur nga sulmi e mesfusha, dhe asnjë repart nuk ka funksionuar. Patëm raste tona, pra tri raste të mira, sulmueset tona nuk ishin të përqendruara, kur nuk shënon, në zhargonin e futbollit thuhet se të dënon kundërshtarin”, thotë Bajrami.  Lojtaret janë të demoralizuara pas humbjes nga MTK. “Lojtaret janë demoralizuar, si trajner duhet mi ndihmuar, mi koncentruar në ndeshje me kazaket, kur dihet se çfarë na pret dhe me kthye motivi. Me luajtur shumë më mirë e të disiplinuara”, ka thënë Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat