Nuk mposhtet dot krenaria e shqiptarëve, Skënderbeu përsëri në grupet e Ligës së Evropës

Futboll

Nuk mposhtet dot krenaria e shqiptarëve, Skënderbeu përsëri në grupet e Ligës së Evropës

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 20:18
Foto nga ndeshja Skënderbeu-Dinamo

(E plotësuar) - E mrekullueshme ajo që ka bërë skuadra shqiptare, Skënderbeu nga Korça.

Ish-kampionët e Shqipërisë kanë barazuar pa gola në shtëpi 0-0 ndaj Dinamo Zagreb dhe falë barazimit në ndeshjen e parë 1-1 në Kroaci kanë arritur kualifikimin historik.

Kësisoj djelmoshat e Ilir Dajës do të jenë përsëri klubi i vetëm shqiptarë në grupet e një gare evropiane pas suksesit në vitin 2014.

Ndeshja nisi më mirë për mysafirët të cilët vetëm pas katër minutave lojë shënuan gol, por që për fat të mirë u anulua nga gjyqtari pasi lojtarët e Dinamos shkaktuan faull në sulm.

Dy minuta më vonë, Liridon Latifi tentoi me një goditje të fuqishme ta mposhtë portierin mysafir por i cili intervenoi me sukses dhe shpëtoi portën.

Disa minuta para fundit të ndeshjes, mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas rrezikoi por pa arritur të gjejë golin.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e parë të ndeshjes.

Edhe në pjesën e dytë mysafirët me ngulm kërkonin golin e epërsisë por edhe njëherë portieri Orges Shehu shpëtoi portën duke intervenuar me sukses pas goditjes nga Omo.

Pasi kaluan një orë lojë, sulmuesi afrikan i Skënderbeut Sowe tentoi me një goditje të fuqishme por pa arritur cakin.

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani që luan për Dinamon e Zagrebit u vërshëllye gjatë gjithë kohës nga tifozët pasi kishte deklaruar më parë se do t’i shënonin shumë gola Skënderbeut në Shqipëri.

12 minuta para fundit të ndeshjes, mesfushori nga Mali i Skënderbeut, Bakary Nimaga u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën e tij me 10 futbollistë në fushë.

Deri në fund të ndeshjes, Dinamo tentonte me çdo kusht shënimin e golit por një gjëje të tillë nuk ia arriti falë mbrojtjes fantastike të shqiptarëve.

Kësisoj pas 95 minutave, ndeshja përfundoi me rezultat të bardhë 0-0, dhe falë golit të shënuar në udhëtim, ish-kampionët e Shqipërisë arritën të kalojnë tutje për tu futur në grupet e Ligës së Evropës.

Këtë sukses Skënderbeu e kishte arritur edhe dy vite më parë, ndërsa tani bardh e kuqtë synojnë të marrin sa më shumë pikë në grupet e Ligës së Evropës.

Image

Ky është rezultati i pjesës së parë Skënderbeu-Dinamo

Pas 45 minutash të pjesës së parë të takimit në “Elbasan Arena”, futbollistët e Skënderbeut dhe Dinamos shkojnë në pushim, duke lënë rrjetat të paprekura në këtë pjesë të lojës.

Ishin vendësit qysh në minutën e dytë që rrezikuan portën mysafire, por pa mundur të shënojnë. Dy minuta më vonë Fernandez i Dinamo Zagreb shënon gol, i cili anulohet, pasi më herët gjyqtari ndërpreu ndeshjen për shkak të ndërhyrjes së palejuar ndaj një lojtari të Skënderbeut.  

Latifi nga ana e majtë rrezikon në minutën 7 portierin Livakoviq, por ky i fundit nuk lejoi që të befasohej. Më pas loja u koncentrua kryesisht në mesin e terrenit dhe nuk ishte aspak tërheqëse për shikuesit.

Të dyja skuadrat rrezikuan për të shënuar brenda një minute, në minutat 22 dhe 23, por pa sukses. Në minutën 27 Nimaga ndëshkohet me karton të verdhë.

Në minutën 28 futbollistët e të dyja skuadrave sikur u nervozuan pas goditjes nga këndi të Dinamos, pasi që kapiteni i mysafirëve Soudani u ndesh me lojtarët e mbrojtjes së Skënderbeut dhe gjyqtari hungarez u detyrua të shuajë “gjakrat”.

Sado që lojtarët e të dyja ekipeve u përpoqën për të arritur brenda 45 minutave të parë, kryesisht kemi parë një lojë jo cilësore dhe aspak interesante.

Në minutën 43 Sigali ndëshkohet me karton të verdhë, pas një ndërhyrje të palejueshme. Radash i Skënderbeut pas kësaj pati rast të mirë për të shënuar, por Livakoviq reagoi në mënyrë të shkëlqyeshme.

Dinamos i anulohet goli

Skënderbeu dhe Dinamo Zagreb kanë nisur takimin në “Elbasan Arena”, i cili duket se do të jetë shumë interesant, pasi që skuadra shqiptare ka gjasa që të kualifikohet në Europa Ligë.

Por, janë kroatët ata të cilët kërkojnë golin e parë dhe atë qysh në minutat e para kanë nisur sulme drejt portës së korçarëve.

Në minutën e katërt Dinamo shënoi gol përmes Fernandez, por ai u anulua, pasi që më herët një lojtar i mysafirëve kishte shkaktuar ndërhyrje të palejuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat